Rreth 12 milionë euro është vlera totale e disa pasurive të sekuestruara të cilat dyshohet se burojnë nga të ardhura të përfituara nga veprimtari kriminale. Me vendim të Gjykatës së Sarandës, lënë në fuqi dhe nga Apeli, janë vënë në sekuestro preventive, pasuritë e dy personazheve të njohur të botës së krimit në këtë rreth.
I pari Kristi Qirici nga Saranda, njohur edhe me emrin e dytë, Jetmir Hoxha.
Krimi ekonomik në Policinë e Vlorës po e heton 43-vjeçarin për pastrim të parave. 2 hotele në Sarandë iu sekuestruan. Njëri 6-katësh, me 37 dhoma. Hoteli tjetër, 4-katësh, me 15 dhoma dhe lokal.
Kjo nuk është hera e parë që goditen pasuritë e tij. Në mars të këtij viti, me kërkesë të SPAK, iu sekuestruan rreth 90 pasuri të tjera me vlerë miliona euro. 43-vjeçari nga Saranda është ende në kërkim nga prokuroria e Posaçme, pasi akuzohet për trafik të drogës nga Shqipëria në Greqi. Flitet për trafik të sasive me vlerë rreth miliona euro. Qirici akuzohet si kreu i një krupi që u shkatërrua përmes komunikimeve të “SkyECC”, me të implikuar edhe efektivë policie.
Qirici njihet për lidhjet e tij me Edmond Papën, i cili u vra në 2022 në Tiranë, me precedentë për drogë në Greqi dhe Britani të Madhe, por i rikthyer në Sarandë, ngriti disa biznese.
Personazhi i dytë, të cilit iu sekuestruan pasuri, Adriatik Kalemit, është rival i Edmond Papës. Hasmëria mes familjeve Kalemi-Sadikaj-Papa ka prodhuar disa viktima deri më tani, pas prishjes së pazareve të drogës në Greqi.
Atij iu sekuestruan nga Gjykata e Sarandës, një lokal dhe pasuri 123.1 m² në Sarandë, një apartament në Tiranë bashkë me një parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan dhe arë 800 m², po në kryeqytet. Në Radhimë të Vlorës 3 pasuri të tjera me sipërfaqe totale 1140 m². Po ashtu, Kalemi kishte edhe 3 pasuri në Memaliaj. 1 mjet lundrues, 4 makina dhe 12 llogari bankare, përfunduan gjithashtu të sekuestruara.
Adriatik Kalemi është arrestuar në gusht të vitit 2024 pasi iu gjet arsenal armësh në banesë. Hetuesit kanë dyshime edhe për pasuri të tjera të tyre, të cilat mund të jenë të regjistruara në emër të personave të lidhur, familjarë dhe të njohur, për të cilat hetimi është në vijim.
Njoftimi i plotë i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë, në vijim të punës për hetimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme, kanë evidentuar 2 raste, dhe pas regjistrimit të procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kanë nisur hetimet konkretisht:
Në ngarkim të shtetasit K. Q., alias J. H., 43 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 07.09.2025, i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit, me datë 24.10.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:
* Hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat + garazh 440 m², në Sarandë.
* Hotel 4-katësh, me 15 dhoma + lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m², në Sarandë.
Në ngarkim të shtetasit A. K., 53 vjeç, banues në Sarandë, me precedentë kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafiqeve dhe narkotikëve, si person i dyshuar për kryerjen e vepërs penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lidhur me këtë rast, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me vendimin e datës 31.07.2025, ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e këtij shtetasi, konkretisht:
* Në Sarandë: Lokal shërbimi 103 m² dhe pasuri 123.1 m².
* Në Tiranë: Apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m².
* Në Rradhimë, Vlorë: Pasuri 36 m², pasuri 485 m² dhe pasuri 619 m².
* Në Memaliaj, Tepelenë: Pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një pasuri tjetër.
Pasuri të luajtshme: 1 mjet lundrues, 4 automjete dhe 12 llogari bankare.
Nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë vijon puna për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të tjerë, nga këta shtetas ose familjarët e tyre.
Komente








