Selami: Dorëhiqu, s'është vonë
Basha: Projekti im, të fuqizoj PD

Selami: Dorëhiqu, s'është vonë<br />Basha: Projekti im, të fuqizoj PD
Në takimet me demokratët e Beratit, Kuçovës, Urës Vajguore dhe Poliçanit, Eduard Selami, është ndeshur me shqetësimin e strukturave për përçarjen e Partisë. Por Selami, ka theksuar se pikërisht në këto momente vota për të është akti i parë i bashkimit të partisë demokratike dhe rikthimit i saj si forcë  bashkëkohore.

"Nëse vërtetë doni bashkim,  me votoni mua  dhe të bashkuar jeni. Kjo është një arsye më shumë. Unë shoh një shans real që së bashku të firmosim një kontratë, sepse ky model që ofroi është model bashkëkohor dhe i provuar. Nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka e se kam bërë”, tha Selami.

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, është shfaqur optimist nga mbështetja që ka marrë në bashkëbisedimet me demokratët, veçanërisht  gjatë ditëve të fundit kur ata patën mundësinë ta njohin nga afër Selamin dhe vizionin e tij.

"Dorëheqja  do të ishte një veprim qe do t’i shërbente atij vetë por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurte", tha Selami.

Selami tha se Basha, është lider i dështuar dhe që braktis premtimet.  

"Diferenca me e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë, por kur e sheh ne PD thua mjerë si ne. Nuk mund te qahesh, i njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi me larg se kurrë. Pse? Sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi", tha Selami.

Selami, kërkoi sërish publikimin e listave të antarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë se një praktikë e tillë ndiqet ne forcat politike bashkëkohore si në shtetet e bashkuara  ashtu dhe në partinë CDU të Merkel.​ 

Basha: Projekti im, të fuqizoj PD-në
Ndërkohë, Lulzim Basha u ndal në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetëtore dhe shitblerja masive e votës.

Basha tha se beteja për vlerat ku aspirojmë të shkojmë duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.
 
“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre akuza që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot.

Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri.

Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit.

Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së indentitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”
, tha Basha.
​ 
Lulzim Basha tha se projekti i tij synon fuqizimin e qytetarit, të anëtarit të thjeshtë të PD, që të ketë në dorë vendimet e rëndësishme.

“Sot ndodhem për herë të dytë para jush në një garë statutore me një anëtar-një vote, për kryetarin e Partisë Demokratike. Në cadrën  e lirisë iu folëm qytetarëve për Republikën e Re, si një realitet i ri, një raport i ri midis pushtetit dhe qytetarit; i përkthyer në disa forma, në sistem të ri elektoral me deputetë të ardhur drejtpërdrejtë dhe pa filtra partiakë nga populli, si një balancë e re kushtetuese midis degëve të ndryshme të pushtetit; Parlamentit, Kryeministrit, Presidentit, gjykatave. Por po kështu, iu thamë shqiptarëve se ky është një raport që duhet të fillojë brenda familjes tonë. Ashtu siç e thashë kur dorëzova listën për deputetë, se kjo duhet të jetë hera e fundit që kryetari i PD, në bindjen time do të dorëzojë një listë të tillë. Se tashmë, për të gjithë vendimmarrjet e rëndësishme ne duhet të aplikojmë parimin më demokratik për të kaluar në një sistem një anëtar-një vote, për përzgjedhjen e çdokujt që do të mbajë peshën e përfaqësimit të demokratëve dhe Partisë Demokratike”, theksoi Basha.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Si sot e 33 vite më parë aty ishin 20 mijë prej nesh!

Si sot e 33 vite më parë aty ishin 20 mijë prej nesh!