Selami sulmon Bashën:
Kryetari të jetë në Kuvend

Selami sulmon Bashën:<br />Kryetari të jetë në Kuvend
TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Selami, i është rikthyer toneve kritike ndaj lidershipit Lulzim Basha, përmes një deklarate që nënkupton zgjedhje të reja në PD. Kur kanë kaluar dy muaj nga mea culpa e Selamit në përvjetorin e 25-të të themelimit të PD, ku u shpreh se kritikon për shkak të shpresës që shohin shqiptarët te PD, dje në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, të cilin e zbardh sot “Shqiptarja.com”, ai sulmoi sërish Bashën. Duke mos kursyer kritikat e tij për qëndrimet e shumëfishta të PD për reformat e rëndësishme siç është reforma në drejtësi, vendimmarrja e pakonsultuar me grupin parlamentar, aksionet e lëna përgjysmë dhe protestat e sfumuara, Selami shkoi deri aty sa tha se, vazhdon të mbetet i idesë se kryetari i PD duhet të jetë në parlament. Kritikave të Selamit iu bashkua edhe deputeti Arben Imami i cili ngriti shqetësimin e shmangies së forumeve nga vendimmarrja e PD.
 
Kritikat
“Jo më kot them se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ishte edhe kryetar i grupit parlamentar”. Kjo ishte fjalia e deputetit Eduard Selami që tërhoqi vëmendjen e deputetëve të PD dje në mbledhjen e grupit parlamentar me dyer të mbyllura. Teksa kishte disa minuta që debatonte me kryetarin Lulzim Basha për qëndrimet e paqarta të PD për reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, Selami foli për një hendek mes kryetari të partisë dhe grupit parlamentar. Nuk dihet nëse deklarata e tij ka bëjë me zgjedhjet e reja që duhet të bëhen për kryetar të PD.

“Ndërkohë që ju nuk mund të deklaroni qëndrimin e PD-së për mediat pa e diskutuar në forumet e partisë dhe në grupin parlamentar. Çfarë kuptimi ka të diskutojmë tani në grup parlamentar ndërkohë që e lexove deklaratën në media?!”, tha Selami. Ai kritikoi Bashën edhe për aksionet opozitare të lëna përgjysmë dhe këtu solli në vëmendje protestat kundër Ilir Metës, ndërsa u shpreh gjithashtu se PD s’bën dot më protesta. Por, Selami nuk ishte i vetmi në pakënaqësitë e shprehura ndaj lidershipit demokrat. Arben Imami dhe Jozefina Topalli gjithashtu nuk kursyen kritikat në adresë të kreut demokrat, në momentin kur ky i fundit lë mbledhjen e grupit për një takim. “Sigurisht që janë shqetësuese qëndrimet e ndryshuara të PD-së për çështjet themelore si dhe konstatoj diskutime të munguara nëpër forume”, tha Imami, i cili pas këtij momenti braktis mbledhjen e grupit parlamentar. Megjithë nervozizmin e shprehur se kryetari i partisë s’duhet të largohet, ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk doli nga mbledhja pas insistimit të Berishës.  
 
Zbardhen debatet në mbledhjen e grupit të PD
Eduard Selami: Duhet të jemi serioz në qëndrimet që kemi për Reformën në Drejtësi dhe Byronë e Hetimit. Qëndrimi i PD deri tani është i paqartë dhe i luhatur. Duhet të respektosh grupin, pasi në mbledhjet e grupit ka mungesë transparence. Ju z.Kryetar na mblidhni për të na thënë se çfarë do të deklarosh pas mbledhjes.
 
Lulzim Basha: Çdo vendim i PD është diskutuar në mbledhjet e grupit.
 
Eduard Selami: Na thua do të largohet Ilir Meta dhe nuk ndodh asgjë. Ju i lini betejat përgjysmë. PD nuk bën dot protesta.
 
Sali Berisha: Jo, s’jam dakord. Protestat e Partisë Demokratike kanë qenë të shkëlqyera dhe ndër më masivet. Të jemi realistë.
 
Lulzim Basha: Z.Selami, asnjë betejë nuk e kam lënë dhe as nuk e kemi lënë dhe unë vazhdoj të jem në krye të detyrës. 
 
Eduard Selami: Ne nuk mund të kemi tre ose 4 qëndrime të ndryshme për Reformën në Drejtësi e Byronë Kombëtare të Hetimit. Ndërkohë që ju nuk mund të deklaroni qëndrimin e PD-së për mediat pa e diskutuar në forumet e partisë dhe në grupin parlamentar. Çfarë kuptimi ka të diskutojmë tani në grup parlamentar ndërkohë që e lexove deklaratën në media?!
 
Arben Imami: Sigurisht që janë shqetësuese qëndrimet e ndryshuara të PD-së për çështjet themelore si dhe konstatoj diskutime të munguara nëpër forume.
 
Eduard Selami: Jo më kot them se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ishte edhe kryetar i grupit parlamentar. Për reformën në drejtësi PD po bën njësoj si me reformën territoriale.
 
Edmond Spaho: O Eduard, po ç’janë këto muhabete tani?!
 
Lulzim Basha: Për çdo çështje, për çdo vendim kanë qenë dhe janë forumet e partisë që kanë vendosur. Çdo çështje është diskutuar në këtë sallë nga grupi parlamentar.
 
Eduard Selami: Pse fillojmë gjithmonë me vonesë mbledhjen… pse duhet të presim gjithmonë me minuta e ndoshta me orë për të nisur mbledhja?
 
Lulzim Basha: Prita që të vinin të gjithë deputetët, pastaj të fillonte mbledhja.  
 
Eduard Selami: Edhe në mbledhjet e tjera s’keni qenë korrekt. Duhet më shumë seriozitet dhe korrektësi ndaj grupit parlamentar.
 
Lulzim Basha: Për çështjen e orarit duhet të respektojmë edhe televizionet që transmetojnë live. Prandaj mbledhjet nisin me disa minuta vonesë.
 
Lulzim Basha: Më falni, por me duhet të largohem për shkak të një takimi shumë të rëndësishëm. Mbledhjen do ta drejtojë z.Spaho, do t’ju informojë ai për më tej.
 
Arben Imami: S’ka kuptim të vazhdojë mbledhja pa kryetarin.
Ngrihet dhe del nga mbledhja)
 
Jozefina Topalli: Ç’është kjo punë tani?! Mbledhjen e grupit e drejton kryetari i partisë...Si mund të ikë kështu?! S’kemi pse të rrimë më... (Topalli ngrihet nga karrigia).
 
Sali Berisha: Jozefinë, ulu!
(Topalli ulet)
 
Reagon kompania/Akuzat e Bashës, prej mungesës së informacionit. Basha e akuzon për afera me “Suzer”, Ahmetaj: Liza në botën e çudirave
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi dje ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj për afera me koncesionet. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Basha u shpreh se Ahmetaj ka marrë 5 milionë euro nga kompania “Suzer” për HEC-in e Skavicës.  “Me vitin 2014, sipas të dhënave të publikuara Arben Ahmetaj ka marrë 500 mijë euro kapar, dhe në dhjetor të 2015 pas daljes se VKM që i jep 8% bonus kompania “Suzer” i ka dhënë 5 milionë euro të tjera. Arben Ahmetaj i cili ka negociuar direkt dhe në mënyrë të paligjshme për këtë projekt duke udhëtuar me çarter nuk mund të fshihet me gjoja dorëheqje por të bëhet gati të shkojë para drejtësisë. Ne do të përpiqemi t’ia shkurtojmë kohën. Por e sigurt është se para drejtësisë do të shkojë”, u shpreh Basha.

Pas akuzave të Bashës, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Arben Ahmetaj. Në një deklaratë për mediat, Ahmetaj e ka cilësuar Bashën si një administrator të opozitës, ndërkohë që ka hedhur poshtë akuzat se ka udhëtuar ndonjëherë me charter me biznesmenin që ka përmendur Basha, madje ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqjen nëse faktohet një gjë e tillë. Sipas Ahmetajt Basha është i lidhur me vjedhjen e qindra mijëra euro në projektin e Rrugës së Kombit, ndërkohë që e ka akuzuar atë se është kthyer si Liza në Botën e Çudirave që ndërton guaskën e zezë rreth vetes. Ai ka përfunduar duke thënë se e fton Bashën që të shkojë në prokurori për çdo fakt që disponon. Ndërkaq, në lidhje me akuzat e kryetarit të PD, ka reaguar edhe kompania turke.

“Suzer” përgënjeshtron akuzat e kryetarit të PD, duke sqaruar se kompania ka marrë pjesë shumë herë në tenderët që janë mbajtur si në nivel kombëtar, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. “Shtojmë këtu se jemi duke hedhur hapa të rëndësishëm sipas planeve të gatshme që kemi për investime, si dhe në drejtim të pjesëmarrjes në shumë projekte të rëndësishme që ne synojmë ti realizojmë dhe që do të jenë objekt i tenderëve”, thuhet në reagimin e “Suzer”. Kompania turke i quan akuzat e Bashës të nxitura nga mungesa e informacionit. “E shprehur shkurt dhe qartë, ne jemi të mendimit se fjalët që ka përdorur Zoti Lulzim Basha për Grupin Süzer, i cili e ka vërtetuar veten e tij në Shqipëri në aspektin e investimeve, burojnë nga mungesa e informacionit të pamjaftueshëm mbi kompanitë tona”.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat