Avokati i Frrokut ka kërkuar lirim të menjëhershëm nga burgu pasi sipas tij, klienti i tij është i pafajshëm, ndërsa Gjykaya ka vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrancë ndaj Arben Frrokut dhe Jak Jakut duke i hapur rrugë procedurave të ekstradimit për llogari të drejtësisë shqiptare, ku për dy të ndaluarit është dhënë masë arresti në mungesë. Arben Frroku u ndalua më 25 shkurt në Selanik së bashku me Jak Jakun, një ditë pas vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.
FRROKU: RAMA S'ME KA KANDIDUAR PER DEPUTET
Ndërkohë, në një prononcim për median ai ka mohuar deklaratat e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme i cili dje u shpreh se Arben Frroku kishte lidhje të ngushta me liderin e opozitës e deputetët e tij, madje Rama, (sipas ministrisë) i kishte propozuar se do ta kandidonte për deputet.
“Rama s’më ka kandiduar për deputet jam kristiandemokrat”, -është shprehur Frroku sot paradite para se të hynte në gjykatën e Selanikut.
Policia e Selanikut deklaronte se Arben Frroku ishte ndaluar në Greqi pas një kërkese zyrtare nga pala shqiptare pasi kërkohej për vrasjen e një komisari të lartë të Policisë së Shtetit Shqiptar, duke iu referuar ish-shefit të komisariatit numër 6 Dritan Lamaj.
Policia greke me pas thekson se personi tjetër i arrestuar 31- vjeçari Jak Jaku akuzohet nga pala shqiptare vetëm për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë që në momentin e arrestimit iu gjetën dhe një sasi lëndësh narkotike duke ngritur akuzën ndaj tij për posedim të lëndës narkotike.
INTERPOL TIRANA PUBLIKON ONLINE FOTOT E JAK JAKUT DHE ARBEN FRROKUT
Interpol Tirana ka publikuar në faqen e saj zyrtare fotot e Arben Frrokut dhe Jak Jakut si persona të shpallur në kërkim. Fotot e tyre janë shoqëruar dhe me akuzat përkatëse. Nga Arben Frroku është ngritur akuza e vrasjes, ndërsa ndaj Jak Jakut ajo e armëmbajtes pa leje. Nga një vëzhgim i gazetarit të TV A1 REPORT! Arsen Rusta deri pasditen e djeshme këto foto nuk kanë qenë të publikuara, si persona të shpallur në faqen zyrtare online të interpolit. Gjithashtu ai shton se kjo do të shërbejë si provë për Gjykatën e Selanikut ku do të kërkohet dhe ekstradimi.
(Në foto Jak Jaku, faqja e interpolit)
(Foto: Arben Frroku i shpallur në kërkim nga Interpoli)
Redaksia Online
(sg/a.r/Gre.M/Shqiptarja.com)