Pas publikimit të rastit të ndalimit të mësuesit të edukimit fizik në një shkollë në Selenicë, kanë reaguar edhe kolegët e tij. Ata shprehen se mësuesi ka pasur sjellje korrekte si me stafin pedagogjik, ashtu edhe me nxënësit.

Mësuesi i anglishtes në këtë shkollë thotë se lajmi i publikuar u ka shkaktuar tronditje dhe ndihen të turpëruar, por thekson se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ankesë nga nxënësit lidhur me sjelljen e kolegut të tyre. Sipas tij, ata nuk dinë se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ia lënë në dorë organeve kompetente zbardhjen e plotë të rastit.

“E njoh, e kam koleg. Marrëdhëniet tona kanë qenë brenda normave. Punojmë bashkë që në fillim të vitit shkollor. Me ne ka qenë korrekt, por edhe me nxënësit, korrekt. Na vjen turp që jemi mësues, jemi të sulmuar nga të gjithë krahët. Jemi të zhveshur nga gjithçka. Nuk e besoj dot dhe nuk dua ta besoj që i ka ngacmuar seksualisht vajzat. Vajta 20 vite aty dhe më duket çmenduri”, tha mes të tjerash mësuesi i anglishtes në shkollën ku jepte mësim i ndaluari.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave paraprake, mësuesi i edukimit fizik u ndalua nga Policia e Vlorës pas denoncimeve të disa nxënëseve të shkollës, të moshave 14–17 vjeç. Nxënëset kanë paraqitur fillimisht ankesë pranë Zyrës Arsimore Selenicë, ndërsa më pas, pas njoftimit nga drejtoria arsimore, rasti është referuar në polici për hetim.

Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa pritet që organet kompetente të zbardhin rrethanat dhe të verifikojnë pretendimet e ngritura.


Lajmi kryesor:

Dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënëset, pranga mësuesit të edukimit fizik në Selenicë