Në fshatin piktoresk të Vllahinës, në Bashkinë e Selenicës, u zhvillua Festa e Verës dhe Rakisë, një ngjarje që bashkon aromat, traditën dhe mikpritjen e jugut. Aktiviteti kishte si qëllim promovimin e produkteve bio të zonës, të njohura për cilësinë dhe autenticitetin e tyre.

Kjo zonë, e pasur me vreshta, ullishte dhe punishte artizanale rakie, ruan me krenari trashëgiminë e brezave, duke e kthyer prodhimin vendas në një histori suksesi që përcillet çdo vit përmes kësaj feste. Përveç ekspozimit të produkteve tradicionale si vera, vaji i ullirit dhe rakia, aktiviteti synon të forcojë edhe turizmin agro-kulinar në Selenicë, duke e bërë rajonin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, e cilësoi këtë festë si “një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e identitetit kulturor të zonës”. Ai theksoi se produktet bio nuk janë më vetëm pjesë e traditës, por edhe një instrument i qëndrueshëm për zhvillimin rural dhe turistik.

Në stendat e improvizuara, fermerët e zonës prezantuan varietete të ndryshme rrushi, vaj ulliri dhe raki artizanale, të prodhuara me përkushtim dhe pa kimikate. Ata tregojnë se, megjithëse puna është e vështirë, mungesa e tregut të qëndrueshëm mbetet sfida kryesore. Për këtë arsye, evente si kjo ndihmojnë në lidhjen e prodhuesve me konsumatorët dhe operatorët turistikë.

Në atmosferën festive nuk munguan as polifonia e labërisë, këngët tradicionale dhe vallet popullore që e bëjnë këtë festë të kthehet në një udhëtim mes shijes, zërit dhe kujtesës.

Në një zonë ku dollia nisi dikur si një rit i thjeshtë tavoline, sot ajo është bërë pjesë e trashëgimisë shpirtërore të UNESCO-s, duke i dhënë kësaj feste një dimension të veçantë kulturor e identitar.