Mësohet se ndryshimi i parë që do të prezantohet menjëherë pas marrjes së detyrës nga kryeministri i ri i vendit Edi Rama do të jetë pamja e sallës së mbledhjeve të këshillit të Ministrave, por dhe e logos që do të vendoset në këto salla, kryesisht në atë të mbledhjeve të qeverisë dhe të konferencave për mediat. Kështu, me ndryshimin e mazhorancës së re qeverisëse ndryshon dhe logoja në kryeministri, e cila për tetë vitet e qeverisjes së Berishës ka qënë ndryshe nga ajo që kanë prezantuar paraardhësit e tij.
Kreu i ri i qeverisë Edi Rama ka vendosur ta heqë logon që kishte vendosur paraardhësi i tij Sali Berisha, e cila kishte shqiponjën të verdhë me sfond të kuq, për të vendosur logon e re me shqiponjën e zezë, të vendosur mbi një sfond të kuq. Pra do të ketë një ndryshim radikal në logon e kryeministrisë jo vetëm për sa i përket ngjyrës së shqiponjës dykrenare, simbolit tonë kombëtar, por dhe elementëve të tjera të deritanishëm që kanë shoqëruar këtë shqipponjë që është përkrenarja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, sfodi i vendosur, si dhe mënyra e qëndrimit të shqiponjës.
Kështu për tetë vite me radhë kryeministri Berisha ka mbajtur në sfond, në sallën e mbledhjeve dhe kudo si logo të kryeministrisë shqiponjën e zezë të ngjyrosur me të verdhë, e cila ka krahë të lëshuar. Asokohe ka pasur shumë akuza ndaj Berishës për ngjashmëri me shqiponjën e përdorur në flamurin e Bizantit dhe për më tepër që ka ngjashmëri me shqiponjën e përdorur në flamurin serb, si simbol i serbëve. Ndërkohë që përkrenarja e heroit tonë këmbëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, për sa i përket simbolikës së brirëve të dhisë, i ka brirët të vendosur në anën e djathtë.
Ndonëse brirët janë vendosur sipas Kushtetutës, ngjyra e verdhë e shqiponjës por dhe forma e krahëve të saj, janë në kundërshtim me logon e vendosur në Kushtetutë. Ndërkohë që shqiponja që do përdoret si logo e kryeministrisë nën qeverisjen e Ramës pritet të jetë e zezë, në sfond të kuq si në logon e Kushtetutës, vetëm përkrenarja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu do të jetë e vendosur majtas, në ndryshim nga mënyra e vendosjes së logos në dokumentin themeltar të shtetit dhe përcaktimit kushtetues të saj. Por logoja që pritet të përdoret nga ana e kreut të qeverisë së re në sallën e mbledhjeve apo të konferencave të shtypit, nuk do të jetë e logo për shkresat zyrtare, të cilat do të kenë logon e saj sipas të gjithë elementëve të përcaktuar në Kushtetutën e vendit.
Shkrimi u publikua sot (13.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
(v.gj/shqiptarja.com)