Një aeroplan që mbërriti nga Dubai ndodhet në karantinë në aeroportin JFK të Nju Jorkut pas njoftimeve se një sëmundje misterioze ka prekur disa pasagjerë.
Në njoftimet fillestare u tha se numri i personave të sëmurë që udhëtonin me linjën Emirates ishte rreth 100, por deklaratat pasuese nga kompania e kanë ulur atë në 10. Mediat vendase raportuan se tre persona janë dërguar në spital.
Administrata e presidentit Trump tha se po e mbikqyr incidentin.
"Jemi duke e monitoruar situatën dhe Presidenti po informohet me të rejat rreth situatës sapo ato janë në dispozicion", tha zëvendës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Lindsay Walters.
Linja ajrore Emirates bëri të ditur se udhëtarët janë nën kujdesin e autoriteteve lokale shëndetësore.
Disa pasagjerë kanë postuar imazhe të makinave të policisë dhe ambulancave të rreshtuara në pistën e aeroportit si dhe veten duke matur temperaturën e trupit.
Aktualisht aeroplani po mbahet larg terminalit të pasagjerëve./VOA