TIRANË- Ambasada amerikane në Tiranë ka përshëndetur vendimin e Senatit amerikan për të konfirmuar Eric Wendt si ambasador të SHBA-së në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shkruan se me ardhjen në Tiranë, Wendt do të çojë para vizionin e presidentit amerikan Donald Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane.

“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Ëendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, shkruan ambasada amerikane.

Wendt mori 55 vota pro dhe 44 kundër në senat dhe tashmë pret vetëm firmën e presidentit amerikan Donald Trump që të marrë detyrën në Tiranë. Një procedurë e tillë duket se do të jetë formale, pasi Wendt është propozim i vetë kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Ardhja e Wendt në Tiranë do të pasonte Yuri Kim, e cila u largua si ambasadore në qershor të vitit 2023 dhe që prej asaj kohe, në krye të misionit diplomatik amerikan në Tiranë, ka funksionuar Nancy VanHorn, si e ngarkuar me punë.

Wendt është një Gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Në dëgjesën publike të 20 majit në Senat, Wendt renditi si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane.