Senatorët demokratë kërkojnë hetim federal për komunikimin 2-vjeçar mes Musk dhe Putin

Senatorët demokratë kërkojnë hetim federal për komunikimin 2-vjeçar mes Musk dhe Putin

Elon Musk dhe Vladimir Putin

Dy senatorë të lartë demokratë kanë kërkuar një hetim federal mbi kontaktet e raportuara të Elon Musk me Presidentin rus Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij kryesorë.

Senatorët kanë bërë thirrje që Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Drejtësisë të përcaktojnë nëse këto biseda, të cilat Kremlini i ka mohuar, duhet të çojnë në një rishikim të kontratave të qeverisë federale me kompaninë e Musk, SpaceX.

“The Wall Street Journal” raportoi muajin e kaluar se personi më i pasur në botë ka pasur “biseda të shumta në nivel të lartë” me Putinin që nga viti 2022, ndërsa ka mbajtur kontakte edhe me zyrtarë të tjerë të lartë rusë.

Musk shkroi të premten në platformën e tij, X, se “do të zbulojë se kush po i bën këto akuza dhe do t’i shkatërroj”.

Në një postim tjetër, ai i quajti dy demokratët – senatorin Jack Reed nga Rhode Island, kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit, dhe senatorin Jeanne Shaheen nga New Hampshire, anëtare e lartë e Komiteteve të Forcave të Armatosura dhe Marrëdhënieve me Jashtë – si “kukulla” dhe “budallenj”.

Dy senatorët i dërguan një letër të premten Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes, Robert Storch, duke ngritur “pyetje serioze në lidhje me besueshmërinë e z. Musk si një kontraktor qeveritar dhe mbajtës i një autorizimi [të sigurisë]”.

Aleati i Donald Trump përfiton aktualisht nga kontrata miliardë dollarëshe me mbrojtjen dhe inteligjencën amerikane dhe pretendon të mbajë një autorizim sigurie të nivelit shumë të lartë.

“Ambiciet e Rusisë në hapësirë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së,” shkruajnë Reed dhe Shaheen, duke iu referuar raporteve të mëparshme se armiku i SHBA-së ka zhvilluar një armë kundër-hapësinore që mund të sulmojë satelitë të tjerë në orbitën e ulët të Tokës.

Senatorët theksojnë se, ndryshe nga individë të tjerë me autorizime sigurie në nivele të larta, Musk nuk raporton kontaktet e tij me zyrtarët e qeverive të huaja.

Ata shtojnë se komunikimet e miliarderit me zëvendësshefin e stafit të Putinit, Sergei Kiriyenko, ndodhin në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë ka konstatuar se Kiriyenko dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë përfshirë në përhapjen e propagandës së Kremlinit në rrjetet sociale, përfshirë platformën X (ish-Twitter) në pronësi të Musk.

“Për këto arsye, ne kërkojmë një rishikim të menjëhershëm për të përcaktuar nëse marrëdhënia e z. Musk me disa zyrtarë të nivelit të lartë rus justifikon një hetim dhe një vendim nga zyrtari i lartë i Departamentit të Mbrojtjes për të përjashtuar përfshirjen e Musk dhe SpaceX në kontratat aktuale apo të ardhshme të qeverisë amerikane,” shkruajnë Reed dhe Shaheen.

Musk, i cili mbështeti rizgjedhjen e suksesshme të Trump-it në vitin 2024 me paraqitje në fushatë dhe miliona dollarë donacione, u emërua këtë javë nga presidenti i zgjedhur për të udhëhequr një “Departament për Efikasitetin e Qeverisë”.

Por ai gjithashtu ka marrë pjesë në përpjekjet diplomatike të presidentit të ardhshëm. Gjatë javës së fundit, Musk ka marrë pjesë në telefonata me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin turk Tayyip Erdogan.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes