TIRANË - Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe ambasadori i Greqisë, Leonidhas Rokanas kanë vizituar sot kreun e PD, Lulzim Basha.

Të pranishëm ishin edhe ish-ministri i Jashtëm, sot deputet i PD, Aldo Bumçi, si dhe ish-ministrja e Integrimit, deputete e PD, Majlinda Bregu.

Qëllimi i vizitës së dy diplomatëve ishte informimi i zotit Basha për prioritetet e Presidencës Greke të Bashkimit Europian për gjashtë muajt në vijim.

Ambasadori Rokanas e siguroi kryetarin Basha se integrimi i Europës Juglindore vijon të mbetet përparësi kryesore edhe e Presidencës greke dhe se Greqia do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha hapat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Por ambasadori grek ka theksuar se “në këtë proces, roli i Partisë Demokratike si opozita demokratike në vend mbetet jetik për procesin dhe interesat e vendit”.

Sipas deklaratës zyrtare të PD pas takimit, “ambasadori Rokanas rikonfirmoi qëndrimin se arsyeja e mosdhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nuk ishin ekstremistët europianë”.

Basha ka shprehur keqardhjen e thellë që qeveria Rama-Meta nuk e ka kuptuar ende se me qëndrimet e saj të shkatërrimit të konsensusit demokratik, të shkeljes flagrante dhe arbitrare të kushtetutës, ligjeve e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, me goditjen e institucioneve të pavarura, dobësimin dhe politizimin e policisë dhe organeve të ruajtjes së rendit e sigurisë, presionin politik të paprecedentë ndaj drejtësisë së pavarur, zhbërjen e administratës publike dhe keqadministrimin e financave e ekonomisë shqiptare, me të gjitha këto akte, kjo qeveri është përgjegjësja e vetme dhe kryesore për mosmarrjen e statusit, të cilin e kishte bërë gati Partia Demokratike”.

“Ekziston një shqetësim gjithnjë e në rritje mbarëpopullor për mosrespektimin e shtetit të së drejtës dhe për degradimin e rendit e sigurisë publike si rrjedhojë e qëndrimeve antikushtetuese e antiligjore të kësaj qeverisje”, shtoi Basha.

Kreu i PD ndau me ambasadorët shqetësimin se ekonomia shqiptare ka ngrirë dhe se skepticimizmi i investitorëve shqiptarë e të huaj po kulmon si rrjedhojë e paketës fiskale të varfërimit të shqiptarëve dhe keqadministrimit që kjo qeverisje po u bën financave të tyre por edhe fushatës për rikthimin e monopoleve që kjo qeveri po instalon me shpejtësi anembanë vendit.

Kryetari Basha dhe ambasadorët Rokanas dhe Sequi ranë dakord të vijojnë diskutimin dhe kontaktin e ngushtë në periudhën në vijim, në interes të integrimit europian të Shqipërisë.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)