TIRANE- Ambasadorët e SHBA-së dhe Bashkimit Europian po ndjekin nga afër grevën e urisë së ish të burgosurve politikë e cila sot hyn në ditën e 18-të. Ambasadorët Ettore Sequi dhe Arvizu bëjnë apel për gjetjen e një zgjidhjeje dhe dëmshpërblimin e të burgosurve sipas ligjit. Ata i bëjnë thirrje grevistë të vijojnë të kërkojnë me forcë atë çka u takon por pa ndërmarrë veprime ekstreme.

SEQUI VIZITON NDRECEN: DEMSHPERBLIM SIPAS LIGJIT

Ambasadori i BE-së Ettore Sequi sot paradite shkoi në repartin e djegies dhe plastikës ku që prej ditës së djeshme ndodhet i shtruar i burgosuri Gjergj Ndreca.

Ai bëri apel për dialog dhe zbatimin e legjislacionit dhe shprehu besimin se të gjithë do të luajnë një rol pozitiv. Ambasadori shtoi se kishte shkëmbyer disa fjalë me Ndrecën ”por nuk mund tua them” u tha gazetarëve që ndodheshin jashtë repartit të djegieve në QSUT. 

“Erdha të kuptoj se si është situata. Mjekët janë të përkushtuar për shërimin e tij dhe unë ndihem i inkurajuar. I shpjegova dhe simpatinë njerëzorë të gjithë kolegëve të mi në Bruksel. Besojmë se të gjitha cështjet që kanë të bëjnë me kompensimin e ish të persekutuarve janë cështje që duhen trajtuar dhe duhen vënë në zbatim. Duhet dialogu mes palëve të cilët janë të përfshirë. Edhe gjatë fundjavës ky ka qenë dhe inkurajimi që kam dhënë në disa diskutime jo zyrtare. Dua të shtoj dhe dy gjëra.
E para: Ky spital, dhe qëndra e djegieve është një projekt i financuar nga BE, si nga paisjet dhe rikonstruksioni i ndërtesës. Jam shumë krenar sepse mendoj se Shqipëria meriton një qendër të tillë. Kjo qendër vërteton se janë njerëzit që duhet të përfitojnë nga BE.
Së dyti: Kemi një problem, kam besim se nëpërmjet dialogut dhe kontakteve ky problem mund të trajtohet dhe të vihen në zbatim legjislacioni përkatës. Nuk kam dyshim se për këtë të gjithë do të luajnë rolin pozitiv. "- tha Sequi.


SHBA: DUHET REAGUAR SA ME PARË
Ambasdadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu përsërit apelin për dialog dhe gjetjen sa më parë të një zgjidhjeje të cështjes së ish të burgosurve politikë. Nga qyteti i Fierit Ambasadori Arvizu, iu përgjigj interesit të gazetarëve. “Kam kërkuar nga palët politike që të kenë mirëkuptim. Të reagojnë sa më parë për problemet e ish-të përndjekurve dhe zgjidhjen e kërkesave të tyre.”- tha Arvizu pas takimit që zhvilloi me kryetarin e bashkisë së Fierit por dhe prefektin.
Arvizu kujtoi se SHBA nuk mund të bëjë asgjë për zgjidhjen e situatës dhe i bëri thirrje grevistëve të mos ndërmarrin veprime ekstreme.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë për kërkesa të tilla. Akte të tilla nuk cojnë në një përfundim produktiv. I bëj thirrje grevistëve që të vijojnë të kërkojnë me forcë atë që ju takon por jo në mënyra të tilla ekstreme.” Dje  ambasadori i SHBA-se Aleksander Arvizu vizitoi Ndrecën në spital.
(sg/shqiptarja.com)