Sequi: Imunitetin e hoqët, jepni
rezultate në luftën antikorrupsion

Sequi: Imunitetin e hoqët, jepni <br />rezultate në luftën antikorrupsion
TIRANE - Ambasadori i BE-së, Sequi ka theksuar sot se është përgjegjësi e autoriteteve shqiptare për të dhënë rezultate në luftën kundër korrupsionit, sidomos pas heqjes dhe kufizimit të imuniteteve për zyrtarët e lartë.

Bilanci i bashkëpunimit 3-vjeçar në luftën kundër korrupsionit mes Shqipërisë, BE-së dhe Këshillit të Europës, i njohur me emrin PACA ka qenë në qendër të një konference të zhvilluar në kryeqytet, ku mes të tjerëve morën pjesë Kryeministri Berisha dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Në kuadër të projektit PACA, Europa ka shpenzuar 2.1 mln Euro në trajnimin e shqiptarëve për të luftuar korrupsionin, tha ambasadori Sequi, duke theksuar se "suksesi i asistencës sonë është në përputhje me vullnetin dhe vendosmërinë tuaj për të përfituar prej saj. Në të vertetë, suksesi i PACA-s ka qenë në përputhje me vullnetin politik dhe vendosmërinë për t'i thënë "jo" korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit është një kërkesë e rëndësishme për statusin kandidat dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe lidhur me këtë.

Ambasadori Sequi nënvizoi nevojën për një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve për korrupsion në të gjitha nivelet. "Është përgjegjësia juaj për të dhënë rezultate mbi reformën e fundit të regjimit të imuniteteve. Është përgjegjësia juaj të zbatoni Planin e Veprimit të Anti-korrupsionit", tha ai duke iu adresuar autoriteteve shqiptare.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se drejtësia shqiptare jo vetëm nuk është ashtu si përshkruhet në media, por është edhe më pak e politizuar se drejtësia në disa vende të BE-së.

Më tej Kryeministri tha se çdo reformë e qeverisë së tij ka pasur si synim luftën ndaj korrupsionit. Në këtë kontekst, ai deklaroi se ka ndërmend të kopjojë Zelandën e Re që është vendi me më pak leje e licenca.

Në konferencë mori pjesë edhe zv/sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Europës, Gabriella Battaini-Dragoni, e cila i kërkoi politikës që të vazhdojë bashkëpunimin kundër korrupsionit ndërsa theksoi se shoqëria civile duhet të jetë më vigjilente.

"Të gjithë ne duam të lëmë një botë më të mirë për fëmijët tanë dhe vendi juaj nuk bën përjashtim. Fëmijët e sotëm meritojnë të jetojnë nesër në një Shqipëri pa korrupsion", shtoi ajo.

Projekti PACA filloi në Shtator 2009. Është një projekt prej 40 muajsh i financuar kryesisht nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga Këshilli i Europës. Gjatë 15 viteve të fundit, janë shpenzuar rreth 150 milionë Euro nga taksapaguesit e BE-së për reformat mbi Drejtësinë në Shqipëri.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot