TIRANE - Në përfundim të misionit Euralius në vendin tonë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi ka vënë theksin në rëndësinë e forcimit të shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit, ku BE ka investuar shumë, duke dhënë 2.3 milionë euro në tre vitet e fundit dhe duke sjellë në Shqipëri 900 ekspertë të drejtësisë.

“Ata që janë përgjegjës për shtetin e së drejtës duhet të garantojnë pavarësinë e eficencën në gjyqësor. Askush të mos jetë mbi ligjin. Të gjithë duhet ta respektojnë njëlloj atë."- tha Sequi në ceremoninë e përfundimit të misionit Euralius që u zhvillua sot paradite në hotel Tirana.  Në ceremoni ishin të pranishëm edhe presidenti Bujar Nishani dhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.

Duke vlerësuar arritjet e bëra deri më tani në Shqipëri në kuadër të reformave në fushën e drejtësisë, Sequi tha se investimet dhe trajnimet e bëra nga BE, duhet të japin rezultatet e duhura.

“Në kuadër të projektit për konsolidimin e sistemit të drejtësisë kemi investuar me fonde nga BE në rreth 2.3 mln euro në tre vitet e fundit, po kështu kemi sjellë ekspertët më të mirë. Reformimi i sistemit kërkon përmirësimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, Gjykatën Administrative dhe Këshillin Kombëtar të Drejtësisë. Trajnimi i punonjësve të drejtësisë synon të aftësojë të gjitha ata që japin drejtësi.” tha Sequi.

DISA LIGJE TE RENDESISHME DUHET TE MIRATOHEN
Ambasadori i BE në vendin tonë vuri theksin në përmirësimin e kuadrit ligjor, dhe trajnimin e gjyqtarëve në mënyrë që të rritet transparenca dhe besimi në këtë sistem. Më tej, Sequi u ndal tek rëndësia e ndarjes së tre pushteteve dhe në luftën ndaj korrupsionit.

“Ne synojmë përmirësimin e kushteve të punës në sistemin e drejtësisë, funksionimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre. Po kështu kërkojmë konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ligjet nuk janë perfekte, nuk janë të sakta në detaje. Disa ligje të rëndësishme duhet të miratohen nga legjislativi juaj. Nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve ligjore dhe infrasktrukturore do të forcohet shteti i së drejtës. Reforma në sistemin e drejtësisë ka në fokus të gjithë elementët dhe institucionet përfshirëse në sistem si: ligji për gjykatën administrative, ligji për profesionin e avokatit, rritjen e pagave për gjyqtarët, reformimi i kodit civil e të tjerë.”- tha Sequi.

RINDERTIMI I SISTEMIT GJYQESOR, AURIEMMA: TE MOS PERSERITEN GABIMET E ITALISE


Përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë italianë, Paolo Auriemma, në ceremoninë e përmbylljes së misionit EURALIUS në Shqipëri, tha se rindërtimi i sistemit të dretësisë dhe konsolidimi I shtetit të së drejtës, janë faktorët kryesorë ndihmës drejt integrimit europian.

Duke vlerësuar arritjen e bëra deri më tani në reformimin e këtij sistemi, Auriemma, përmendi edhe punën e mirë që kanë bërë ekspertët italianë të fushës.

Auriemma thotë se “sekreti i funksionimit të një projekti bashkëpunimi është që të krijohet mundësia e vënies në praktikë të eksperiencave më të mira, duke respektuar divesitetin e institucioneve. Synohen të evitohen gabimet që kemi bërë në sistemin Italian të drejtësisë, dhe të realizohet diçka më efikase”.

Në vlerësimin e tij për ecurinë e misionit EURALIUS, përfaqësuesi I magjistraturës italiane, theksoi nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm, përmirësimin e kaudrit ligjor, dhe avancimin me etapat e tjera të procesit.

NISHANI: EURALIUS DHA KONTRIBUT TË RËNDËSISHËM

Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e rëndësishëm të misionit EURALIUS. Duke falënderuar ambasadorin e BE-së dhe përfaqësuesit e EURALIUS uroi që në vijimësi të realizohen projektet e BE.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet pjesë natyrale e Europës. Askush nuk mundet ta lërë jashtë familjes europiane. Ne shqiptarët kemi detyrimin ta bëjmë pjesë funksionale” - tha Nishani duke shtuar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka pësuar ndryshime thelbësore në këto 20 vite.

“Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka pësuar në 20 vitet e fundit ndryshim thelbësor. 20 vite më parë nuk kishte ministri Drejtësie, ndërsa sot ka projekte ambicioze të implementuara dhe në rrugën e konsolidimit."

Redaksia online
(es/sg/shqiptarja.com)