TIRANË- U zhvillua ditën e sotme, seminari me temë prioritetet e procesit të integrimit në Bashkimin Europian, me të pranishëm ambasadorin e BE-së në Shqipëri Ettore Sequi, dhe gjithë ministrave të kabinetit qeverisës. Gjatë diskutimeve në lidhje me planin kombëtar të integrimit, ambasadori Sequi, bëri thirrje për vazhdimin e reformave, në mënyrë që në muajin qershor të merret statusi i vendit kandidat.
 
“Shqipëria duhet të tregojë që do ecë përpara. Angazhimi ynë si Bashkim Europian nuk ka qenë në ulje, por vazhdimisht në rritje, me gjithë problemet që ka patur drejt rrugës për në Bashkimin Europian. Në Qershor do të shikojmë nëse Shqipëria, ka marrë masat për vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, apo një administratë moderne. Plani kombëtar i integrimit duhet të jetë dokumenti udhërrëfyes për administratën publike. Planifikimi më i mirë nuk mund të përmbushë të gjitha gjërat, prandaj plani kombëtar duhet të jetë dinamik”, tha Sequi.

Sequi pohoi se procesi i integrimit dhe pritja e statusit kandidat në qershorin e ardhshëm, kërkon që hapat drejt luftës së korrupsionit dhe ruajtjes apo përmirësimit të mëtejshëm të shtetit të së dretës janë imperative.
 
“Historia e integrimit ka treguar se shtetet integrohen në bazë të meritave. Procesi i integrimit ka të bëjë më punën në grup, me punën e të gjithëve.Angazhgimi ynë për Shqipërinë ka qenë përhërë në ngritje dhe kurrë në ulje pavarësisht stanjacionit të BE-së në 2008. Shqipëria duhet të tregojë që nuk ka kthim mbrapa për shtetin e së drejtës. Në qershor shqipëria duhet të tregojë se ka marrë masa kundër korrupsionit dhe shtetit të ligjor”, pohoi ambasadori Sequi.

Nga ana e saj ministrja Klajda Gjosha, tha se në muajin prill, qeveria shqiptare do t’i dorëzojë BE edhe përgjigjet e planit kombëtar, duke e vlerësuar si një rrugë që s’ka kthim pas.
 
Zëvendës kryeministri Niko Peleshi, theksoi se integrimi është prioriteti kryesor i qeverisë, por shtoi se në këtë proces kjo mazhorancë nuk përjashton opozitën që duhet të japë kontributin e vet.
 
Kjo javë pritet të jetë tërësisht e fokusuar te integrimi, pasi do të mbahen edhe dialogu i nivelit të lartë mes qeverisë dhe opozitës, e drejtuar nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle.

Redaksia Online
(e.s/ak/Shqiptarja.com)