TIRANE- Një ditë pas takimit me kreu e Partisë Socialiste, ku ka biseduar për integrimin europian të Shqipërisë, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, takon edhe kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrimin, Ilir Meta. Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në selinë e kësaj force politike, ndërkohë që pas këtij takimi të dy dhanë një konferencë për shtyp për mediat.

META: SHPIRTI I POPULLIT TONË EUROPIAN FOLI QARTË NË ZGJEDHJE
Fillimisht kreu i LSI u shpreh se "është kënaqësi të takoj ambasadorin Sequi për të ndarë disa vlerësime për zgjedhjet e 23 qershorit dhe se i shprehu atij falenderimet më të përzemërta për angazhimin e tij, të KE, të PE, që ishte mjaft aktiv për monitorimin e këtyre zgjedhjeve". "Dihet që këto zgjedhje ishin në një moment kyç për të ardhmen e statusit. Falë shpirtit europian të popullit tonë dhanë mesazh të qartë për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit të vendit. E garantova Sequi-n se do punojmë akoma më shumë dhe më ngushtë për të çuar para të gjitha reformat, që shpejtojnë marrjen e statusit", tha më tej Meta.
 
Ai ka vijuar duke u përqendruar tek integrimi i vendit në BE dhe marrja e statusit të vendit kandidat. "Pak javë më parë arritëm me konsensus gjatë fushatës të miratojmë 3 ligjet, edhe pse me vonesë. Tani është e gjitha mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe aftagjata të bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes mes mazhorancës së re dhe opozitës së re. Është mundësia e përfshirjes së shumë faktorëve të tjerë; shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike, që këto reforma të fitojnë një kontekst të ri".

SEQUI: FJALA GJITHËPËRFSHIRJE ËSHTË FJALË KYÇE PËR INTEGRIMIN
Ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi fillimisht theksoi se "erdhi për të falenderuar dhe uruar Metën për fitoren dhe për rolin e tij në promovimin për integrimin në BE".
 
"Është e vështirë, që mos bie dakord me fjalët aq elokuente, që përdori zoti Meta tani, se kjo është ajo që ne presim nga Shqipëria, që të ecet në mënyrë të suksesshme drejt BE", shtoi Sequi.
 
Ai theksoi se pas këtyre zgjedhjeve kemi besim që do ketë një tranzicion të mirë drejt pushtetit. Në mënyrë që të përqendrohet puna te axhenda e reformave, që janë të nevojshme për Shqipërinë.
 
"Mbeta veçanërisht i kënaqur nga fjala gjithëpërfshirje, që është fjalë kyçe, sepse procesi i integrimit është një proces, që përfshin gjithë vendin me ato elementë, që përmendi zoti Meta", theksoi Sequi.  
 
Sa i përket procesit integrues të Shqipërisë, Sequi u përgjigj se "gjithë mundësitë janë aty për Shqipërinë, që të merret statusi i vendit kandidat. Ne kemi besim që kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri".
 
I pyetur mbi faktin se mazhoranca tani mund të miratojë çdo ligj pa ia pasur nevojën opozitës, Sequi u përgjigj: "Unë besoj që përvoja dhe vizioni i zotit Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën gjithëpërfshirje të dy e kemi përmendur në të kaluarën. Nuk shoh arsye që kjo fjalë mos jetë po aq kyç dhe në të ardhmen".
 
Në këtë moment, kreu i LSI, Ilir Meta shtoi se "pavarësisht nga mazhoranca prej 84 votash, për çështje të rëndësishme dhe kruçiale, nuk do mjaftonte një votim i bazuar mbi nurmat, por një konsensus sa më i gjerë edhe me opozitën. Ky do të jetë vullneti ynë në të ardhmen. Kjo do të jetë filozofia jonë dhe presim një filozofi të re dhe nga opozita e re për të ardhmen".

Sequi theksoi edhe që kemi pasur edhe urime të udhëheqësve për njëri-tjetrin dhe "kjo tregon për një mentalitet të ri politik, që duhet të ndihmojë këtë tranzicion të qetë".

Redaksia Online
(mag/e.s/shqiptarja.com)