TIRANE-  Pas zhvillimit të procesit zgjedhor, i cili në sytë e ndërkombëtarëve është parë si një hap optimist për të ardhmen evropiane të vendit, gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian është përqendruar tashmë në procesin e tranzicionit të pushteteve, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto pritshmëri janë shprehur gjatë një takimi të zhvilluar sot në ambjentet e Presidencës, mes presidentit Bujar Nishani dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi. 

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, e cila zbardhi takimin, kryediplomati evropian ka vënë theksin në nevojën e vazhdimit të reformave dhe konsolidimin e drejtësisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

DO BASHKEPUNOJ  ME QEVERINE E RE
 Nga ana tjetër, presidenti Nishani shprehu bashkëpunimin e plotë me mazhorancën e re qeverisëse duke garantuar ruajtjen, forcimin dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura, ndërsa ka shprehur besimin se koalicioni i majtë do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe do të përshpejtojë ritmin e reformave. 

Sipas Presidentit, bashkëpunimi dhe bashkëpërgjegjësia respektive e të gjitha institucioneve shtetërore dhe politike mbeten elementë të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. 

Në përfundim, kreu i shtetit, në përgjigje të interesimit të Ambasadorit Sequi, tha se institucionet e ligjit nuk duhet të stepen nga presionet e natyrave të ndryshme, por duhet të zbatojnë ligjin.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)