TIRANE - Kreu i delegacionit të BE ka përgëzuar sot kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, Partinë Socialiste dhe koalicionin e majtë për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit.

Gjatë një takimi paraditen e sotme me kreun e PS, ambasadori Ettore Sequi, ka vendosur theksin në rëndësinë e zbatimit të reformave nga qeveria e re në mënyrë që vendi ynë të ecë përpara drejt integrimit europian. “Nëse ecet me reformat e duhura, vendi mund të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në muajin dhjetor”, tha Sequi.
 
“Me zotin Rama diskutuam për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka Shqipëria përpara. Ne diskutuam për faktin se axhenda europiane, është në krye të axhendës së qeverisë së re. Dhe unë i garantova zotit Rama mbështetjen e BE në mënyrë që të vihet në zbatim kjo axhendë e re. Diskutuam edhe faktin se qeveria e re do të punojë fort dhe në mënyrë energjike për të vënë në zbatim këro reforma, si dhe mënyrën si do të ndodhë kjo”, u shpreh ambasadori i BE në Tiranë.

Duke u ndalur tek potencialet që Shqipëria ka në drejtim të integrimit europian, ambasadori Sequi tha se marrja e statusit të vendit kandidat do të ndikohet nga zbatimi i reformave.
 
“Është e vështirë të bëhen parashikime, pasi procesi i integrimit është një proces që bazohet tek merita. Rregullat janë të njëjta dhe të qarta për të gjitha shtetet aspirante. Ajo që mund t’ju them janë dy gjëra, së pari, unë besoj plotësisht së Shqipëria dhe shqiptarët kanë të gjitha potencialet për të realizuar me sukses këtë proces. Së dyti, unë shpresoj që statusi i vendit kandidatë të jetë arritja e parë në këtë drejtim, dhe që për mendimin tim do ishte një hap shumë motivues”, tha Sequi.
 
Ndërsa vijoi, “Unë besoj se axhenda e integrimit europian është e qartë. Dhe kur vjen puna tek zbatimi i saj, këtë e kanë në dorë politikanët shqiptarë. Por mund të them se i shoh të gjithë të motivuar për këtë gjë. Dhe mund të them se është lajm i mirë. Të gjithë janë të bindur se perspektiva europiane e Shqipërisë është një gjë që e duan të gjithë shqiptarët. Të gjithë shpresojmë që në dhjetor Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, dhe është diçka e cila mund të arrihet”.
 
PROCESI ZGJEDHOR TE MBYLLET NE MENYREN E KOHEN E DUHUR
Më tej kreu i delegacionit të BE në Shqipëri u ndal tek procesi zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e përmbylljes së procesit në mënyrën dhe kohën e duhur.
 
“Unë po ashtu iu referova edhe fjalimit tepër elokuent të zotit Rama ku ai tha se do të mbizotërojë gjithëpërfshirja. Po ashtu duket nga këto zgjedhje sikur fryma e kompromisit do të bëhet një element i ri i politikës shqiptare. Po ashtu ne shpresojmë që procesi zgjedhor do të përfundohet në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur, dhe së shpejti”, theksoi ambasadori Sequi.
 
Duke përmendur anëtarësimin e Krocisë në BE, Sequi tha se kjo mund të jetë një përvojë e mirë dhe një frymëzim për Shqipërinë, në mënyrë që të ecë përpara me reformat.

Redaksia online
(e.s/sg/shqiptarja.com)