BEOGRAD - Serbia është e shokuar nga një aferë e ndyrë trafikimi të mundshëm të foshnjave në kohën që Gjyqi Evropian i të Drejtave të Njeriut i ka kërkuar Beogradit të zbardhë çdo gjë rreth këtij skandali që kishte filluar në kohën e Jugosllavisë komuniste.

Për mijëra prindër në ankth, të bindur, derisa të ndodhë e kundërta, se janë viktima të një trafiku foshnjash, ky verdikt është drita e shpresës. Dëshmi të panumërta të grumbulluara qëkur shpërtheu skandali në vitet 2000, tashmë krijojnë një skenar të ngjashëm: autoritete spitalore i njoftonin prindërit se foshnja e tyre kishte vdekur, pa ua treguar trupin, dhe duke u thënë se ata do ta organizonin varrimin e foshnjës. Por, në varreza nuk u gjet asnjë gjurmë e sapo të lindurve që pretendoheshin të vdekur e të varrosur, transmeton Koha Ditore.

“Vetëm në Beograd, 2 000 prindër kanë kërkuar të verifikohet nëse foshnjat e tyre ishin varrosur dhe kishin marrë përgjigje negative”, siguron Mirjana Novokmet, 54 vjeçare. Mirjana, bebja e së cilës kishte “lindur me shëndet të shkëlqyeshëm” u shpall në mënyrë të pashpjegueshme e vdekur disa ditë më vonë, në vitin 1978, dhe Goran Raxhenoviq, 42 vjeçar, i cili e kishte humbur foshnjën në vitin 2001, bëjnë pjesë në grupin e prindërve të cilët qe 10 vjet bëjnë presion ndaj autoriteteve të Beogradit për ta vënë në vend të vërtetën. Ata nuk kanë asnjë pikë dyshimi lidhur me ekzistimin e një praktike kriminale të organizuar.

“Jemi përballë një rrjeti të organizuar dhe shteti nuk po bën asgjë për të na ndihmuar”, rrëfehet kjo grua me një pamje të zymtë përplot rrudha. “Para syve tanë ekzistenca e këtij rrjeti është e konfirmuar me faktin se një mënyrë e njëjtë veprimi ka ndodhur edhe nëpër spitale të qyteteve të tjera dhe nëpër kohë të ndryshme”, ndërlidhet Gorani. “Në mënyrë implicite e ndonjëherë edhe të drejtpërdrejtë, infermiere dhe mami na kanë pohuar me kusht anonimitetit” ekzistimin e një trafiku foshnjash, siguron zonja Novokmet.

Prindërit kanë përkrahje të pakushtëzuar të Komisarit për informata me rëndësi publike Rodolub Shabiq, i cili konsideron verdiktin e Strasburgut e konsideron si rrjedhojë logjike e paaftësisë së autoriteteve serbe për t’iu dhënë informata kredibël prindërve. Mundësia e ekzistimit të trafikimit të foshnjave “nuk mund të përjashtohet në mënyrë absolute”, thotë ai. Në vitin 2006, pas presioneve të prindërve, Parlamenti serb formoi një komision hetues

Zhivodarka Dacin, kryetare e këtij komisioni, raporti i të cilit u miratua njëzëri nga të zgjedhurit, saktëson se ky dokument në masë të madhe ka konfirmuar dyshimet e prindërve. “Ne kemi rekomanduar krijimin e një njësie speciale të policisë që do ta udhëhiqte hetimin për këtë dosje, fillimin e një identifikimi të domosdoshëm të foshnjave të vdekura nga prindërit detyrimin për të filluar autopsinë dhe lejimin e familjes që të përkujdeset për funeralin”, i ka deklaruar Dacin agjencisë franceze të lajmeve AFP. Rekomandimet e komisionit janë pasojë e bindjes së tij se dyshimet rreth trafikimit të foshnjave janë të arsyeshme.

Mirjana dhe Goran, të cilët në ndërkohë kanë pasur fëmijë të tjerë, ajo është nënë e binjakëve e ai është baba i katër fëmijëve, pranojnë se lufta e tyre e gjatë për të vërtetën ka trazuar jetët e tyre private. “Duke dëgjuar historinë time, njëra nga vajzat e mia ka frikë që të bëhet nënë, ajo frikësohet se do t’ia vjedhin foshnjën. Ne e trajtojmë këtë problem sikur një top”, thotë ajo.

Pasojat psikologjike për prindërit janë “të rënda e plagët të thella", nënvizon psikologia Milica Zarin. “Bëhet fjalë për seri lajmesh të këqija të shoqëruara me vuajtje, depresione, me një ndjenjë pafuqie dhe një kërkimi të pa ndaluar të së vërtetës”, i ka thënë ajo AFP-së.Verdikti i Gjykatës evropiane për të Drejtat e Njeriut, i shqiptuar në fund të marsit, i kërkon shtetit serb që të reagojë, por reagimi nuk ka ndodhur ende. “Ne kemi afat gjashtë muajsh për këtë dhe ne do ta bëjmë këtë”, i ka thënë AFP-së në mënyrë jo precize e me plot anonimitet një përgjegjës i Ministrisë së Drejtësisë.

Marrë nga Indeksonline
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)