BEOGRAD, 1 korrik /ATSH-TANJUG/ - Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se gjatë vizitës së tij të ardhshme në Federatën Ruse do të flasë me presidentin dhe kryeministrin rus për projektin e gazsjellësit "South Stream", duke shtuar se Serbia do të shohë interesin e saj në këtë projekt.
"Grupet tona të punës po përgatisin kontratat dhe ne do të përpiqemi që të përshtasim sa më shumë elementë të jetë e mundur me ligjet evropiane", tha Vuçiç gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
"Në këtë proces ne do të shohim interesat e Serbisë", shtoi Vuçiç duke theksuar se "do të shkoj për vizitë në Federatën Ruse me ftesë të presidentit rus, Vladimir Putin dhe kryeministrit Dmitri Medvedev".
Menjëherë pas vizitës në Rusi, Vuçiç do të shkojë në një vizitë dyditore në Francë./
/G.S/ a.jor.