Më 14 janar, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, por samiti nuk shërbeu për të ulur përplasjen.

Sezoni i fundit i “Borgen”, serialit danez më të njohur dhe një prej serialeve politike më të vlerësuara në përgjithësi, sillet rreth Groenlandës. Zbulimi i një burimi të madh nafte, i lehtë për t’u shfrytëzuar, përshpejton interesat e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, duke e lënë Danimarkën e vogël të bllokuar mes superfuqive. Seriali u publikua në vitin 2022, tre vite përpara se presidenti i ri amerikan Donald Trump të hapte zyrtarisht “gjuetinë” për ishullin arktik.

«Po ta kisha propozuar këtë linjë narrative, shumica e njerëzve si pesë apo dhjetë vite më parë – do të thoshin se isha krejtësisht jashtë mendjes dhe se kisha humbur kontaktin me realitetin», thotë sot Adam Price, krijuesi i Borgen, në një intervistë për Reuters.

Edhe vetë Price, i cili kishte parashikuar herët se Groenlanda do të përfundonte në qendër të skakierës botërore, nuk e imagjinonte që presidenti i Shteteve të Bashkuara të mos përjashtonte përdorimin e fuqisë ushtarake apo ekonomike për të marrë kontrollin e ishullit.

«Kur realiteti bëhet absurd, siç mendoj se ka ndodhur javët e fundit duke folur për situatën aktuale me Groenlandën dhe pretendimet e Trump, çfarë duhet të shkruajmë?» – shprehet skenaristi, duke folur për vështirësitë me të cilat përballen sot autorët e fiction-it politik.

Në intervistën për Reuters, krijuesi i Borgen shprehet i shqetësuar se ajo që më parë konsiderohej politikisht ekstreme ose e çuditshme nën presidencën Trump, rrezikon të kthehet në normalitet.

Sa i përket një sezoni të ri të mundshëm të serialit titulli i të cilit merr emrin nga nofka e parlamentit danez Price thotë se një ide mund të jetë përpjekja për ta “bërë seksi” Bashkimin Evropian: Politika në sipërfaqe duket e ftohtë dhe pak emocionale, ndaj është e nevojshme të gjenden tema që janë vërtet shpërthyese». Tre sezonet e para të “Borgen” janë të disponueshme në Netflix./Corriere della Sera