Seriali i dhunimeve në Nartë
flet e moshuara: Më bëri copë

Seriali i dhunimeve në Nartë<br />flet e moshuara: Më bëri copë
VLORË -Shqiptarja.com sjell sot një reportazh në fshatin Nartë, ku gratë  ngrysen me frikën e përdhunuesit të panjohur. Enigma e ngjarjes e ngatërruar edhe me fshehjen nga turpi i ka dhënë mundësi dhunuesit të fshehë ndonjë gjurmë që mund të çonte në kapjen e tij.

Shqiptarja.com sjell dëshminë e Eftalisë, e cila për herë të parë për median tregon si u dhunua shtëpia e saj. Intervistën e Kryetarit të Komunës Qendër Fredo Berberi: "Patrullë policie 24 orë në Nartë";  dëshminë e kreut të Omonias Dhimitër Seva: "Edhe ne burrave të moshuar na ka zënë frika"; frikën që jeton mes grave:  "Teuta: Po mbaj një levë pas dere" dëshminë e kryeplakut të fshatit Nasho Voica "Përdhunuesi është vetëm një"  dhe dëshminë e kunatës së të moshuares, Eftali, viktima e fundit e serialeve të dhunimit Irini:  Do flemë bashkë, t’i bëjmë derman

EFTALIA FLET PER HERE T PARE: SI U DHUNOVA NE SHTEPINE TIME

Ishte shumë e vështirë që ne të trokasim në shtëpinë e 75 vjeçares Eftali N., viktima e fundit e dhunës, e cila jeton e vetme në një shtëpi njëkatëshe, vetëm disa metra larg varrezave të fshatit. E shoqëruar nga disa gra të lagjes dhe krushka, që i kish marrë vajzën për të birin, kjo grua imcake, e dobët, për shkak të ndodhisë së pak ditëve më parë, që bëri publike krimin e shëmtuar të përdhunimit të  të moshuarave në Nartë, na priti me një vështrim të egër.

E përqafova si nënën time me dhimbjen që përjeton çdo njeri me ndjenja, ca më tepër kur je nënë dhe nisëm bisedën bashkë. Kjo grua me kulturë, por me një brengë të madhe në shpirt ra dakord të bënte publike për herë të parë ngjarjen e saj, me kusht që të mos bënte foto për gazetën.

-Fotografo dritaren kur hyri krimineli dhe mjafton- thotë ajo.

Rrëfimi i saj ishte i trishtë  për ato 30 minuta tmerri mesnatën e 8 korrikut, që sikurse thotë ajo, i nxiu të 75 vitet e jetës së saj. Në pamje të parë duket e pabesueshme, pasi të gjitha penxheret e shtëpisë janë me hekura.
Po flas-tha ajo që të mësojnë se çfarë krimi bëhet me gratë e moshuara në Nartë, po flas se mungon shteti, siguria dhe se jeta jonë është në rrezik. Pas kësaj që më ndodhi, unë jam një kufomë mes të gjallëve.
 
Si ndodhi nënë Eftali?
Isha në gjumë të parë, kish kaluar ora 1 e natës. Veç kur pashë një njeri me një çorape të zezë në kokë që erdhi tek krevati. Nuk dëgjova zhurmë, pse edhe nuk dëgjoj mirë. Kishte 4 çorape në kokë dy të gjata dhe dy të shkurtëra.
 
Çfarë të tha?
Nuk fliste fare, a thua se ishte një fantazmë. Pastaj ushtroi dhunë në fytyrë. E tmerruar unë thërrisja pa ndërprerë emrin e kunatës, që jeton e vetme edhe ajo 4-5 metra larg meje. Ishte një burrë mesatar rreth të 50-tat. I afrova edhe të holla, por nuk i mori
 
Nuk kishe ndonjë send të fortë aty afër, që ta qëlloje?
O Zot, po ku kisha fuqi unë të bëja veprime të tilla. Unë mendova vetëm vdekjen, asgjë tjetër. Më bëri copë nga fytyra dhe u largua. U ngrita dhe thirra kunatën, pamë që kish hequr hekurat e penxheres së aneksit. Unë kisha çiften e burrit që është ndarë nga jeta pak kohë më parë dhe më rroftë që e mbaj në shtëpi. Por flas kot, se unë dhe asnjë grua që është bërë nënë, nuk mund të vrasë njerëz edhe pse këto mostra nuk duhet të jetojnë në shoqëri. Por unë kam një peng, që dua ta them.
 
Cili është pengu?
Në Nartë kanë ndodhur së paku edhe 13-14 raste,  dhe të them të drejtën, për vetë pozicionin që ka shtëpia ime, i kisha thënë kryetarit të Komunës z. Fredo Berberi. Të keqen nëna ne jemi dy gra këtu, në periferi, në mes të pyllit, na vendos një roje, se e paguajmë vetë. Pasi ndodhi kjo, iu vërsula me të keq kryetarit dhe i thashë: Çfarë shteti jeni, more djalë? Ndodhi e para, e dyta e treta deri tek e dhjeta, çfarë mase keni marrë?

Më thanë që sot kanë shkuar edhe tek një plakë tjetër, që është më e re, 65 vjeçe, ka punuar në shëndetësi. Turp për policinë, turp për Qeverinë, turp për të gjithë. Unë dua të vë alarmin në emër të shoqeve të mia që janë dhunuar dhe të tjera që mund ta pësojnë, të merren masa, të mos i zërë gjumi pushtetarët, përndryshe kanë mallkimën tonë.

Kurrë nuk ka ndodhur një gjëmë e tillë. Në kohën e Enverit, jo të prekte njeri, por matej mirë edhe kur fliste me gojë. Ishim të sigurtë. Ishte diktator, por kishte siguri. Unë kam bërë shkollën në Tiranë dhe venim e vinim me kokë lart. Po në këtë demokraci, çfarë fituam? Turpin, që nuk lahet  në të dyja dynjatë. Më besoni, pas kësaj që më ndodhi, unë jam një kufomë mes të gjallëve.

eftalia
(Foto: Banesa e Eftalisë, një prej grave të dhunuara në fshatin e Nartës dhe (majtas kunata e saj)

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)