Nëse do ta përmbledhësh politikën e Kosovës për vitin 2025, mund ta bësh me pak fjalë: zgjedhje, konstituim, dështim, sërish zgjedhje… Mund t’i shtohen edhe disa: opozita bllokon, pushteti bllokon…

Dhe, pse jo, edhe disa “më të forta”: ‘hajvanë’, ‘kudra’, ‘të shitur’… E sigurt është që nuk ishte vit i kompromisve, i marrëveshjeve politike, apo i projekteve të mëdha ndërkombëtare. I ndëshkimeve po: Dialogu Strategjik me SHBA-në, për shembull, u pezullua.

Në krye të listës së personazheve të këtij seriali politik ishin vetë deputetët. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata u mblodhën… pakkush e mban mend sa herë, por mbi 50 po.

Ishte hera e parë që në institucionin ligjvënës të Kosovës ndodhte diçka e tillë. Kur më në fund u zgjodh, fitore e madhe? Jo. Pas më pak se tre muajsh, e para e shtetit shpalli zgjedhje të parakohshme, pati përpjekjet për formimin e Qeverisë së re shkuan huq.

Si datë u diskutuan 21 dhe 28 dhjetori, por u vendos kjo e fundit - për fatin e keq të kujtdo që priste qetësi gjatë festave. Në pamje të parë, këta dhjetë muaj mes dy palë zgjedhjeve mund të dukeshin sa hap e mbyll sytë, por nuk ishin aspak pa dramë.

Gjykata Kushtetuese u përfshi vazhdimisht, ku herë njëra e herë tjetra palë shkonte për t’u ankuar për tjetrën. Vendimet e saj rrallë i kënaqnin të gjithë: interpretoheshin sipas nevojës, kontestoheshin publikisht dhe, herë-herë, shndërroheshin në municion politik.

Aleatët ndërkombëtarë përcillnin mesazhe, por pa bujën e zakonshme - ndoshta për ta bërë të qartë se krijimi i institucioneve është “puna juaj”. Në pjesën e dytë të këtij 10-mujori u mbajtën edhe dy runde të zgjedhjeve lokale.

Procesi i tyre u përmbyll sipas rregullave, por nuk mungoi zhurma, tensioni politik dhe parashikimet që - në disa raste - u rrëzuan shpejt. Politika e jashtme, gjithashtu, nuk prodhoi ndonjë kthesë të madhe: katër njohje të reja po, por pjesa tjetër u konsumua kryesisht në takime, premtime e fotografi... Tani, kur viti i ri afrohet, lind pyetja: a e ka Kosova luksin të vazhdojë të zvarritet pa asnjë ngut? Me rrëmujën gjeopolitike që ka përshkuar botën, vëzhguesit nguten të thonë: jo!

Prioritetet që do të duhej të vendosnin tonin e sezonit të ri

Prioritetet që i sugjerojnë ata për Qeverinë e re - ose të paktën atë që shpresohet të formohet pas zgjedhjeve - janë disa. Por, një del mbi të gjithë të tjerët: riparimi i besueshmërisë me partnerët kyç: SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, sipas Lulzim Pecit, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave.

Jo me deklarata për konsum të brendshëm, por me një zotim të qartë për koordinim të disiplinuar, sidomos në fushën e sigurisë, në veri dhe në dialog, thotë ai.

Vetëm pasi të rregullohen raportet me aleatët, Peci thotë se Kosova mund të mendojë seriozisht për hapin tjetër: një agjendë të dakorduar me vendet e Quint-it dhe Bashkimin Evropian, që do ta nxirrte vendin nga statusi i përhershëm i pritjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për status kandidati në BE dhe për avancim gradual të partneritetit me NATO-n.

Prioriteti i tretë, ndonëse më pak spektakolar politikisht, sipas Pecit është po aq jetik: energjia. Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë gazin dhe teknologjitë e avancuara në sektorin e thëngjillit, është kusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për pavarësi reale energjetike, sipas tij. Në linjë të ngjashme e vendos listën e prioriteteve edhe Ilir Deda, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, por pa shumë diplomaci.

Sipas tij, Qeveria e re do të duhet të hyjë menjëherë në një plan të përbashkët me shtetet e Quint-it për të zgjidhur disa nga nyjat më të mëdha të bllokimit ndërkombëtar të Kosovës: anëtarësimin në Këshillin e Evropës, formalizimin e marrëdhënies me NATO-n, shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe pa anashkaluar përmbushjen e obligimeve për themelimin e Asociacionit funksional të komunave me shumicë serbe.

Por, politika e jashtme dhe dialogu nuk mund të shkëputen nga realiteti i brendshëm. Deda thotë se pa një pako serioze socio-ekonomike, që do ta stimulonte realisht sektorin privat dhe do të sillte rritje të prekshme të të ardhurave për qytetarët - përfshirë edhe pensionet - çdo agjendë tjetër rrezikon të jetë e zbrazët.

Prioriteti i tretë, ndoshta edhe më i ndjeshmi politikisht, sipas tij lidhet me kthimin e mirëbesimit te popullata serbe në Kosovë, veçanërisht në veri. Deda thekson nevojën për masa konkrete dhe të menduara mirë në këtë drejtim - përfshirë komunikimin e hapur dhe adresimin e vërejtjeve që janë ngritur nga komuniteti serb në Kosovë.

Programet zgjedhore të partive politike i përfshijnë thuajse të gjitha këto, dhe jo vetëm. Ka oferta për zhvillim, për stabilitet, për dinjitet institucional, por shumë pak shpjegime se si do të arrihen, e pothuajse asnjë garanci se këtë herë do të jetë ndryshe.

Retorika është e njohur, tonet e njëjta, fajtorë gjithmonë të tjerët. Edhe nëse gjithçka shkon sipas afateve ligjore, javët e para pas zgjedhjeve nuk premtojnë asnjë frymëmarrje. Numërimi i votave, shpallja e rezultateve, ankesat, certifikimi - secili hap ka kalendarin e vet dhe secili pritet t’i mbajë institucionet të zëna deri në grykë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, muajt e parë të vitit hapin edhe një kapitull tjetër të ndjeshëm: zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Një proces që, në kontekstin aktual politik, vështirë se mund të kalojë pa kalkulime. Por, me afrimin e vitit të ri, shpresat dhe pritjet për të ardhmen gjithmonë rriten.

Në më pak se dy muaj, Kosova mbush 18 vjet dhe hyn në moshën madhore të shtetësisë. Kjo, mbase, mund të shërbejë si një moment për reflektim, për pjekuri politike dhe për vendime të guximshme që e forcojnë vendin si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve./REL