Këtë të dielë Serie A e futbollit në Itali zhvilloi pesë ndeshje të vlefshme për raundin e 22-të. Juventusi dominoi 3-0 Napolin, ndërsa te tri pikët dolën Genoa, Atalanta dhe Sassuolo. Në mbrëmje Roma ndali në barazim 1-1 Milanin, ndërkohë që i fituar doli Interi kryesues.
Në ‘Allianz Stadium’ Juventusi dominoi dhe fitoi 3-0 ndeshjen direkte kundër Napolit. ‘Zonja e Vjetër’ kaloi në epërsi pas 22 minutave lojë me anë të Jonathan David. Në fraksionin e dytë ishte Yildiz dhe Kostic që shënuan edhe dy herë të tjera për të bërë që Juvja të ngjitet në kuotën e 42 pikëve.
Në ‘Olimpico’ Roma dhe Milani barazuan 1-1, një rezultat që më shumë i shërben rivalëve për zonën Champions. Ndeshja prodhoi disa raste në pjesën e parë, por 45 minutat u mbyllën me rrjeta të paprekura. Duhej minuta e 62-të që pasimi i Modric të shfrytëzohej nga De Winter për t’i dhënë epërsinë kuqezinjve. Më pas Roma shtyu në sulm dhe gjeti golin e barazimit me Lorenzo Pellegrinin nga pika e bardhë e 11 metërshit. Milani mbetet në vendin e dytë me 47 pikë, duke humbur terren nga Interi kryesues. Ndërkohë që Roma mban pozitën e tretë me 43 pikë, aq sa ka edhe Napoli.
Në 'Luigi Ferraris' Genoa përmbysi 3-2 Bolognan. Miqtë kaluan në epërsi me golat e Ferguson dhe Otoa (autogol), ndërsa Malinovsky, Ekuban (ish-i i Partizanit) dhe Junior Messias përmbysën gjithçka për ekipin e De Rossit. Në stol te Genoa për herë të dytë ishte edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare të moshave, Joi Nuredini.
Atalanta u rikthye te fitorja duke mposhtur 4-0 Parmën në Bergamo. Scamacca me penallti dhe De Roon shënuan në pjesën e parë, ndërsa Raspadori dhe Krstovic "vulosën pokerin". 45 minutat e para për Atalantën luajti Berat Gjimshiti i cili ka lënë pas një lëndim.
Në 'Mapei Stadium' Sassuolo iu fal golit të Fadera pas tre minutash lojë për të mposhtur 1-0 Cremonesen.
Serie A, raundi 22:
E diel, 25 janar 2026
12:30 Sassuolo 1-0 Cremonese
15:00 Atalanta 4-0 Parma
15:00 Genoa 3-2 Bologna
18:00 Juventus 3-0 Napoli
20:45 Roma 1-1 Milan
Renditja:
Komente








