Sërish nën arrest ish-informatori i FBI-së që akuzohet se gënjeu për çështjen Biden

Sërish nën arrest ish-informatori i FBI-së që akuzohet se gënjeu për çështjen Biden

Alexander Smirnov

LAS VEGAS – Një ish-informator i FBI-së që pretendon se ka lidhje me shërbimet ruse të zbulimit dhe i cili akuzohet se gënjeu për një skemë korrupsioni prej disa miliona dollarësh me përfshirje të familjes së presidentit Joe Biden, u mor sërish nën arrest të enjten në Las Vegas, dy ditë pasi ishte liruar nga gjykatësi, njoftuan avokatët e tij.

Alexander Smirnov u arrestua gjatë një takimi të enjten në mëngjes në zyrat e avokatëve të tij në Las Vegas. Arrestimi ndodhi pasi prokurorët apeluan vendimin e gjykatësit që lejoi 43-vjeçarin Smirnov, me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite, të lihej në gjendje të lirë me një paisje gjurmimi në trup, deri në zhvillimin e gjyqit. Ai akuzohet për deklarata të rreme dhe për krijimin e një prove fiktive.

Avokatët David Chesnoff dhe Richard Schonfeld u shprehën në një deklaratë se kanë kërkuar mbajtjen sa më shpejt të një seance dëgjimore për arrestimin e tij dhe se sërish do të kërkojnë lirimin e tij. Ata thanë se zoti Smirnov u arrestua bazuar mbi një urdhër të lëshuar në Kaliforni për të njëjtat akuza.

Çështja u çel ndaj zotit Smirnov fillimisht në Kaliforni, ku ai banonte më parë. Dokumentacioni i paraqitur në gjykatë nuk është hapur për publikun dhe nuk dihen detaje të mëtejshme për riarrestimin e tij.

Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm David Weiss, i cili po heton zotin Smirnov, konfirmoi se zoti Smirnov është arrestuar sërish, por nuk dha komente të mëtejshme. Ai mbahet nën arrest nga shërbimi i marshallëve në Nevada, tha Gary Schofield, kryemarshall në Las Vegas.

Prokurorët thonë se zoti Smirnov gënjeu zyrtarët e FBI-së se drejtuesit e kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, i paguan presidentit Biden dhe Hunter Biden-it nga 5 milionë dollarë secilit në vitin 2015. Ky pretendim u bë epiqendra e hetimeve të ligjvënësve republikanë me qëllim shkarkimin e presidentit Biden.

Zoti Smirnov nuk është vetëdeklaruar ende i pafajshëm, por avokatët e tij thanë se klienti i tyre prezumohet i pafajshëm dhe se do ta mbrojnë atë në gjyq./Voa/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike