Dinamo është pranë historisë, jo vetëm sportive, por edhe financiare. 'Blutë' që udhëhiqen nga Ilir Daja do të luajnë të enjten në orën 19:00 kundër Pafos në Qipro ndeshjen e kthimit play-off të Conference League.

Nëse ia dalin të fitojnë pas këtij dueli, Dinamo për herë të parë do të jetë në fazën e ligës (ish-grupet) të një kompeticioni evropian. Por bashkë me historinë sportive vjen edhe historia financiare, e garantuar nga UEFA.

Deri në këtë pikë të garës Dinamo ia ka dalë të shtojë në arkat e klubit 1.45 milionë euro si shpërblim për kalimet e tureve në Conference League. Mirëpo nëse kalojnë qipriotët e Pafosit, klubit që si president ka Adrian Bardhin do t'i 'binin nga qielli' edhe 1.72 milionë euro, duke e bërë kështu ndeshjen më të shtrenjtë që Dinamo do të luajë.

Kësisoj, nëse kalon këtë rival pa marrë parasysh të drejtat televizive, sponsorët dhe të ardhurat nga ndeshjet ndërkombëtare, Dinamo do të shtonte në total 3.17 milionë euro të dhëna nga UEFA vetëm gjatë kësaj vere.

Në rast se 'Blutë' do të garonin në fazën e ligës atëherë të ardhurat do të rriteshin ndjeshëm pas çdo takimi. Jo më kot presidenti Adrian Bardhi ka garantuar një premio të majme për futbollistët dhe stafin e Dinamos, duke garantuar 500 mijë euro shpërblim nëse klubi garon në fazën e ligës së Conference League.

Pas barazimit 1-1 një javë më parë në Elbasan, Adrian Bardhi bëri xhiron e botës kur u fut në dhomat e zhveshjes së Dinamos dhe shpërndau afro 90 mijë euro si shpërblim të vendosura në qese të zezë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
3.0 / 5 (2 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21

    Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?