Mbi 200 turistë të shpëtuar, mbi 4 mijë mjete lundruese të kontrolluara dhe 166 shkelje të ndëshkuara në det. Këto janë shifrat e prezantuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një inspektimi në Himarë për ecurinë e sezonit turistik dhe masat për sigurinë e tij.

Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo. Gjatë inspektimit, ai tha se siguria mbetet një nga elementët kryesorë për zhvillimin e turizmit dhe se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe pushtetit vendor është thelbësor për garantimin e rendit dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe turistët

"Siguria nuk është thjesht një detyrim i shtetit, por premtimi ynë për çdo qytetar dhe çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë. Bashkë me pushtetin lokal, çdo strukturë është në detyrë për të garantuar rend, siguri, ndihmë të menjëhershme dhe shërbime dinjitoze për pushuesit vendas e të huaj", u shpreh ministri.

Lamallari bëri të ditur se në katër muajt e fundit Policia e Shtetit ka ndërhyrë në 67 raste për t'u ardhur në ndihmë turistëve, duke shpëtuar mbi 200 vizitorë, kryesisht në zonat e Çikës, Gjipesë dhe jugut të vendit.

Ai tha gjithashtu se janë intensifikuar kontrollet në vijën bregdetare. 

"Vetëm gjatë katër muajve të fundit janë kontrolluar 4 220 mjete lundruese, 21% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë sanksionuar 166 raste të shkeljeve në det, me bllokim mjetesh dhe masa administrative ndaj drejtuesve që kanë rrezikuar sigurinë e pushuesve ose kanë shkelur rregullat e lundrimit", deklaroi Lamallari.

Ministri theksoi se institucionet do të vijojnë bashkërendimin e punës për të garantuar standarde të larta sigurie gjatë gjithë sezonit veror dhe se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkeljeve që cenojnë sigurinë e pushuesve.

Një nga risitë e këtij sezoni u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ai bëri të ditur se për herë të parë kontrolli kufitar për jahtet dhe mjetet lundruese kryhet direkt në det, pa qenë nevoja që ato të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, pasi verifikimet realizohen në vend nga Policia Kufitare përmes sistemit TIMS.

"Për herë të parë këtë vit, kontrolli kufitar detar kryhet drejtpërdrejt në det. Jahtet dhe mjetet lundruese nuk kanë më nevojë të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, pasi Policia Kufitare shkon pranë tyre dhe kryen verifikimet në sistemin TIMS. Ky është një zhvillim i rëndësishëm që rrit cilësinë e shërbimit dhe lehtëson lëvizjen e mjeteve lundruese", u shpreh Hita.

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke theksuar se ai ka ndikuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik, si në menaxhimin e trafikut dhe rendit publik, ashtu edhe në operacionet e shpëtimit të turistëve dhe administrimin e problematikave që lidhen me zhurmat dhe qarkullimin gjatë verës.

"Falë bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Shtetit kemi arritur të kemi një sezon të sigurt turistik. Policia ka qenë një mbështetje e vazhdueshme, si në menaxhimin e trafikut dhe rendit publik, ashtu edhe në operacionet e shpëtimit të turistëve dhe në administrimin e problematikave që lidhen me zhurmat dhe qarkullimin gjatë sezonit veror", tha Tavo.

Autoritetet theksuan strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet e tjera përgjegjëse, do të vijojnë kontrollet intensive në tokë dhe në det, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e standardeve që forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt.