Serb, maqedonas dhe shqiptarë të Kosovës kanë shfaqur interes për të punuar gjatë sezonit turistik në hotelet e restorantet e Durrësit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri tha se mungesa e krahut vendas të punës i ka detyruar operatorët turistikë të punësojnë të huaj.

"Ka prurje jo vetëm nga vendet e Azisë por dhe nga rajoni si nga Serbia e Maqedonia e Veriut dhe punonjës të Kosovës. Përqindja s'mund të jetë e saktë se është proces dinamik, por sezoni parashikohet të jetë i suksesshëm dhe të huajt mund të zënë  20-30 për qind të të punësuarve.

Punonjësit e huaj kanë kosto më të lartë në rastet kur strukturat hoteliere u sigurojnë akomodim.

"Nëse do të marr një kuzhinier të specializuar mbi 1 mijë euro, ndërsa fillestar do të paguhet siç paguhen ata që janë pa specializuar, pra pagat janë në bazë të profesionit formimit profesional".

Ndërsa, Blerim Norja, menaxher i një hoteli në vijën e parë të plazhit të Durrësit tha se rritja e çmimeve nuk ka ndikuar në prenotime. Përkundrazi këtë vit ka një interes në rritje nga bjellorusët. 

"Këtë vit dhomat janë më shtrenjta pjesa e shërbimeve më shtrenjta, por rezervime kemi. Tregun ukrainas këtë vit e kemi mungesë, por do të zëvendësohet nga bjellorusët nga vende të tjera të rajonit". Durrësi është gati për sezonin dhe ka filluar qarkullimi që nga Marsi kemi pasur klientët e parë nga Norvegjia".