Sfondi narrativ i dy romaneve mbresëlënëse të Arbër Ahmetajt

Sfondi narrativ i dy romaneve mbresëlënëse të Arbër Ahmetajt

Arbër Ahmetaj është shkrimtar bashkëkohor që veprën e tij e mbështet në këndvështrime të vetëdijes historike. Shkrimtari, në shtjellimin e boshtit tematik, përmes këtyre dy romaneve ngre kuadrate logjike, përmes të cilave i realizon pritshmëritë e lexuesit, përtej kënaqësisë së leximit të lirë.

Ngjarjet, në veprat e Ahmetajt, ngrihen mbi norma filozofike me sensin e zbërthimit të kodeve jetësore, rrjedhave të kohës, gjendjes sociale, nëpër të cilat parakalon, jo veç individi, por e tërë shoqëria shqiptare. I ballafaquar me situata të tendosura, njeriu (kryeheroi), as krijuesi (autori) nuk resht së përshkuari këto linja të vështira mbi të cilat është i paracaktuar të lëvizë fati i individit. Në dy romanet e shkrimtarit Ahmetaj: “I huaji, ai Kosovari” dhe “Një natë te Luiza”, gjejmë prurje, të realizuara përmes përshkrim-ngjarjesh në linja përpjekjesh ku shpesh të udhëheq ëndrra-onirikja.

E pathëna e veprës
Procedimi rrëfimor i ngjarjeve dhe përjetimeve, i mbështjellë me tisin emocional të shkrimtarit, është një pergamenë historish dhe ndjenjash që shpërndajnë dhembje për të shkuarën. Romani i parë “I huaji, ai Kosovari”, si dhe i dyti “Një natë te Luiza”, vijnë në formë memoaresh, përvojash dhe modelesh të tjera të mbamendjes së individit, gjegjësisht autorit, si dhe mbamendjes kolektive, që nuk arrin ta zhbëjë koha, as me kalimin e rëndë të viteve.  Të shkruash në 2013 romanin “I huaji, ai Kosovari” dhe në 2015 “Një natë te Luiza”, sigurisht nënkupton që autori s'ka qenë vazhdimisht përballë trysnisë së aktualitetit, por ngjarjet, në formë kujtimesh, të përshkruhen me qetësi e përvojë rrëfimore. Në pjesën më të madhe të tekstit përshkruhen ngjarje kohësh të trazuara të nënqiellit shqiptar, si vitet e 80-ta, 90-ta e më pas, deri midis tri linjash paralele ngjarjesh: Shqipëri - Kosovë - Mërgatë.

Në romanin “I huaji, ai Kosovari” shkrimtari flet për kohë tjetërsimesh brenda kombëtare, një tëhuajësim deri në armiqësi e moskomunikim total, pas viteve 80-ta, midis dy vendeve Shqipëri - Kosovë, të parit, nën paktin e bashkëveprimit kinez, ndërsa të dytit, nën “bashkim-vëllazërimin” jugosllav. Pra, është një roman me përmbajte historiografike, bazuar në kujtime dhe argumente. Përmbajtja e këtij romani sjell përshkrime fragmentare, sipas njohjeve, përjetimeve apo leximeve të shkrimtarit, të cilat përvijojnë në plotëni jetën e shqiptarit, matanë dhe këndej kufirit, me mjaft vështirësi, katrahura që të ngjallin neveri e të lënë shije groteske.

Shkrimtari tregohet mjeshtër rrëfimi, me përvojën e autorit të disa veprave artistike. Për ironi, rrëfimin në “I huaji, ai Kosovari” e fillon me arritjen e kryeprotagonistit në qytetin pa kishë. I habitur me faktin se ku e kishte dërguar fati apo rrjedha e jetës, shprehet: “Qyteti ynë nuk ka kishë, kjo nuk është ndonjë hata e madhe, pasi pothuajse shumica e qytetarëve janë myslimanë. As xhami nuk ka, sinagogë jo se jo! Hafizja e çmendur është myslimane”. Pra, kishë nuk ka, por “qyteza e rrënuar e ilirëve, po. Mbase, nostalgjia për këtë vend, e ka shtyrë autorin që rrëfimin e parë ta titullojë “vendi i shenjtë”.

Liria mbetet vetëm si refleksion artistik. Modelin më të mirë për këtë e jep Hafizja e çmendur. Në fakt, kur Kosova është e ndaluar të përmendet, askush nuk guxon ta bëjë këtë, përpos Hafizes së çmendur, e cila këndon edhe këngë për të, po asaj nuk ia var kush veshin, edhe kur bërtiste nëpër rrugët e qytetit: “Jetën e japim, Kosovën nuk e japim”. Atë nuk e vënë re, sepse ajo edhe tek varrezat falet e lutet herë si kristiane, e herë si muhamedane, gjersa në fund reciton citate të Mao Ce Dunit.

Mjerimi i këtij personazhi, e përshkruan konfuzitetin fetar dhe tiraninë për një admirim të rrejshëm, gjatë një bashkëveprimi shqiptaro-kinez që më vonë rezultoi humbje kohe, grotesk në këndvështrimin e sotëm, por që padyshim pas vetes la gjurmë të thella tek një shtet i vogël, siç qe Shqipëria. Kryeprotagonist është Kosovari (natyrisht, banorët do ta quajnë “I huaji” dhe rreth ardhjes së tij fillojnë të thurin legjenda, ndonëse në vitin 1989, ai do të vinte si student në Tiranë. E panjohura për të, këdo e vendos në dilema të shumta.  Qëndrimi i tij shpejt do të bëhet i shpjegueshëm, kur ai fillimisht e refuzoi vizitën për në muzeun e postës së kufirit, i tëri i mbushur me fotografi vrasjesh në përpjekje të kalimit të kufirit.

Aty gjendeshin edhe vargje të shkruara për ushtarët e kufirit, madje dhe qenin e kufirit, që kishin rënë heroikisht duke e « mbrojtur » vendin nga ikësit. Romani “I huaji, ai Kosovari”, analizuar përmes unit subjektiv si raport i ndërvënë me objektin e rrëfimit, krahasuar me veprën e A. Kamysë “I huaji”, ka të njëjtin tëhuajësim individësh, qëndrimi misterioz i të cilëve të lë shijen e bukës së absurdit. Rrëfimi përjetohet si diçka e kohës së shkuar që ruhet në muret e shpirtit, pastaj përkalimi nëpër realitetin jetësor dhe realitetin fiktiv ndihmon në formimin e personazhit narrator. « I huaji-Kosovari » identifikohet me vendin e shenjtë, me identifikimin e varreve, gjuhës dhe gjakut. Kosova për ta (banorët e qytetit pa kishë) ishte krejtësisht e huaj, madje më e huaj se Madakaskari, Kosova që ishte veçse një fluturim zogu larg tyre dhe kishin të njëjtë emrat e mbiemrat e tyre. Kosova, në të cilën kishin shkuar me mijëra herë prindërit e tyre, për bukë e për luftë. Gati një dekadë më vonë, ngjarjet e vitit 1999 jepen përmes ditarit.

Është e pranishme edhe forma epistolare, përpos memoareve që përbëjnë pjesën më të madhe të përmbajtjes. Në këtë ngritje piramidale rrëfimi, një personazh në pritje të premtimit dhe identitetit të përhumbur është Doruntina. Asaj i imponohet dëshira për arratisje, kudo qoftë, veç larg vendit të izoluar, prej ku edhe Zoti për një kohë pati hequr dorë!  Situatat rrëfimore janë gërshetim interesant, edhe kur rastisim në zvarritjet kërmillore të individëve të përhumbur, edhe kur ndeshim vigjilencën e atyre që nuk hezitojnë të marrin arratinë, në emër të lirisë. Përgjithësisht, një krahasim me romanin “Procesi” të Franc Kafkës, pa dyshim se vihet re, ndonëse jo si identifikim tërësor. Sigurisht, në këtë ide na shtyn fakti që edhe dëshmitë e rëndësishme janë futur nëpër kurthe keqkuptimesh. Në këtë rast, edhe po të mos ishte koiçidenca/përngjasimi i personazheve, është ngarkesa psikologjike dhe involvimi i tyre në dramën kolektive.

Rrëfim në sfonde kujtimesh
Romani “Një natë te Luiza”, që nga titulli është gjetje e duhur dhe ngacmuese, drejt një leximi të pakushtëzuar. Indi ndërlidhës midis kohëve, të tashmes dhe të shkuarës, krijon linjën midis fatit të një farmacisti dhe një gruaje “të harruar”, ndonëse në përpjekje të vazhdueshme të ruajtjes së identitetit.   Fillimi dhe mbarimi i romanit, ngrihet si parabolë midis dy linjash, ku konturohet përmbajtja me të gjitha rrjedhat e rrëfimit.

Me një stil konciz rrëfimor, si model i Stevan Cvajg-ut, shkrimtari Arbër Ahmetaj na vendos brenda një ngjarje - enigmë, e cila do të kuptohet vetëm pas leximit të vëmendshëm dhe ndërlidhjes së njëpasnjëshme të sekuencave rrëfimore. Përpos narratorit - farmacistit, që në fletët e para të romanit njihemi me  Luizën, e cila vinte nga Islanda (kishte studiuar për letërsi, në Rejkjavik dhe Dublin), por kishte ëndërruar të bëhej aktore në Londër. Dikur, për arsye shëndetësore kishte qëndruar në Gjenevë, ku e mësoi frengjishten, gjë që i mundësoi të komunikonte edhe me vetë kryeprotagonistin, që u njohën gjatë një seance nënshkrimesh të promovimit të librit të tij të parë të përkthyer e botuar në frengjisht.

Rrëfimi merr trajtë besimi të ndërsjellë, kur ata të dy zbulojnë preferencën e përbashkët - letërsinë. Në këtë temë do të pikasen edhe kodet morale dhe vlerat e shijet e artit. Madje, në një mbrëmje të njohjes së tyre, ata folën gjatë për letërsinë dhe autorët: Samuel Beket, Pol Verlen, sikurse më pas: Homerin, Danten, Shekspirin, Tolstoin, Dostojevskin, Markezin, Coelhon dhe kuptohet Floberin ! E admironin Floberin për zotësinë e gjetjes së Emës - Ema Bovarisë.

Letërsia e përkthyer dhe sistemi i pritjes
Letërsia shqipe e shkruar jashtë kufijve të shtetit Amë e ka të patjetërsueshme të ruajë urat lidhëse, midis dy gjuhëve, kulturave, traditave. Romani “Një natë te Luiza” është tipik për të dëshmuar përpjekjen e shkrimtarit Ahmetaj për të sajuar një roman postmodern, duke përdorur elokuencën rrëfimore, në një anë me realitetin e hidhur e të ashpër që e kaluara lë në vendin e tij, që si realitet është i pashkëputshëm nga ai Shqipëri - Kosovë, po sigurisht me problematika, jo tërësisht të ngjashme, realitetin shoqëror dhe dramën sociale që për dy a më shumë dekada ndeshet me fatin e shqiptarit, në Shqipëri, në Ballkan e gjetiu trojeve tona. Teksa në pjesën tjetër të Evropës, veçmas në Zvicër, ku edhe zhvillohet kryekëput ngjarja, autori i jep tjetër përmasë të kuptuarit të artit, vlerave njerëzore, kulturore e intelektuale.

Romani karakterizohet me përdorimin e lirshëm të unit autorial, si dhe transparencës së ngjarjeve, ndonëse ato shkruhen apo botohen shumë më vonë, ngase kanë ndodhur.  Horizonti i pritjes arrihet këndshëm, pasi është roman me fraza jo të gjata apo të lodhshme, falë njohjes së stilit të shkrimtarëve të “Brezit të humbur”, (E. Heminguej, E. M. Remark) megjithëse, Ahmetaj arrin që ta ruajë stilin ajzbergian, përderisa mjeshtërisht lexuesin e fut në labirinte kërkimesh vetanake, prej ku ata edhe vetë mund ta imagjinojnë vazhdimësinë e ngjarjes, gjithmonë sipas horizontit të pritjes ose ngritjes kulturore që posedojnë, në raport me vlerat e letërsisë. Të dy romanet: “I huaji, ai Kosovari” dhe “Një natë te Luiza” me formësim shtresash rrëfimi tejet filozofike, cilësohen si vepra me vlerë, për nga ndërtimi kompozicional dhe mesazhi universal.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë