Shën Gjergji “katastrofik”

Shën Gjergji “katastrofik”
Ringjallja e gogolit mbi depërtimin e islamizimit përmes Turqisë po ndodh në një moment mjaft kritik për Serbinë dhe Greqinë, ku në ditën e Shëngjergjit, pra dje, janë mbajtur zgjedhjet që mund të sfidojnë rëndë boshtin e strategjisë që për Ballkanin e ka paraparë si të domosdoshëm integrimin në strukturat euro-atlantike.

Një lajm që qarkullonte pardje, të shtunën, në disa portale të internetit se kryeministri i Turqisë Erdogan kinse e paska kërcënuar me intervenim ushtarak Maqedoninë dhe Serbinë nëse rrezikohen “vëllezërit shqiptarë”, doli se ishte i rrejshëm. Erdogani nuk do të dërgojë ushtrinë turke në brendi të Ballkanit as për t’i ndihmuar shqiptarët myslimanë të rrezikuar, e as nuk e ka ndërmend që t’i bashkojë trevat shqiptare. Kështu u demantuan keqas ithtarët e islamizmit radikal e edhe ata që e duan bashkimin e shqiptarëve e që për çdo ditë palodhshëm dërgojnë komente për kauzat e tyre nëpër portale të internetit. Lajmin bombastik e shfrytëzuan ata për të kritikuar paritë politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni ngase nuk na qenka në nivel të detyrës, duke ua përplasur fytyrës shembullin e vëllait të madh nga Ankaraja, i cili ua dha këtë “leksion këndellës” për mënyrën e mbrojtjes së kauzës!

Në të vërtetë, vetëm naivët kanë mundur të mashtrohen me këtë lajm. Që nga momenti kur u paraqit ai dukej i dyshimtë sepse ishte formuluar tamam ashtu siç do ta thoshin qarqet ekstremiste në Serbi dhe Maqedoni, si dhe në disa vende tjera, të cilat prej kohësh përhapin frikën se shqiptarët janë ata që do ta çelin rrugën për depërtimin e fundamentalizmit islamik në rajon, dhe që Turqinë e Erdoganit po ashtu e shohin si njërin nga sponsorët e fuqishëm të këtij depërtimi.

Lajmi mbi “intervenimin” e Turqisë në favor të shqiptarëve me gjasa vinte nga po ajo kuzhinë që kohëve të fundit ka prodhuar dhe pastaj edhe manipuluar me aferat, vrasjet makabre dhe burgosjet e autorëve që akuzohen se bëjnë pjesë në përhapjen e terrorizmit shqiptarë dhe terrorizmit shqiptarë, që gati-gati se barazohen si fenomen. Sa i përket vetë krimeve që kanë ndodhur në Maqedoni, nuk dua të spekuloj ose të paragjykoj autorët dhe motivet e tyre. Kushdo që janë, me çfarëdo motivi që janë inspiruar, këto krime duhet të zbardhen dhe autorët e tyre të dënohen. Vetëm se nuk i shërben aspak zbardhjes dhe fitores së drejtësisë, nëse këto krime që në start futen në skemën që edhe e kanë paramenduat skenaristët që llogarisin në thellimin e ndasive dhe armiqësive fetare dhe kombëtare. Ashtu sikur që qarqet ekstreme maqedonase dhe serbe krimin e shohin si një lloj provokim lufte nga shqiptarët ose shqiptarët islamistë, ashtu edhe reagimet shqiptare sikur ndjekin të njëjtën skemë dhe edhe krimin edhe provokimin e luftës ua veshin ekstremizmit dhe fundamentalizmit sllavë dhe ortodoks.

A ekziston rreziku real që në Maqedoni dhe, praktikisht, tokat shqiptare, të ndizet një krizë e tillë që do të na fuste në një konflikt i ngjashëm me konflikti si në Lindjen e afërt? A mund të ndodh që të realizohet ajo “profecia” e shpeshtë e përsëritur në kohën e regjimit të Millosheviqit kur pohohej se depërtimi i islamizmit i ngjanë një përndezjeje gjarpërore të konfliktit nga Libani, përmes Qipros dhe kufirit të gjatë detar mes Turqisë dhe Greqisë, e deri në brendi të Ballkanit, me pikat neuralgjike në Shqipëri, dhe sidomos Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje?

Ringjallja e këtij gogoli mbi depërtimin e islamizimit përmes Turqisë, tani po ndodh në një moment mjaft kritik për Serbinë dhe Greqinë, ku në ditën e Shëngjergjit, pra dje, janë mbajtur zgjedhjet që mund të sfidojnë rëndë boshtin e strategjisë që për Ballkanin e ka paraparë si të domosdoshëm integrimin në strukturat euro-atlantike.

Në Serbi po zhvillohet mbase njëra prej betejave kryesore mes forcave proevropiane dhe properëndimore, me ato që fatin e Serbisë e shohin në Lindje, por që duan që muri i rezistencës ortodokse të zgjatet në jug, pra në Maqedoni, Greqi dhe deri në Qipro e më tej në Lindje, si një pararoje kundër depërtimit të islamizmit, por jo si pjesë e aleancës Perëndimore, NATO-s, por me mbështetje në Rusinë.

Skenaristët e këtij konfrontimi llogarisin me kthesën që mund të ndodh në Greqi nëse atje në zgjedhjet, për shkak të krizës së thellë ekonomike, fituese dalin forcat euroskeptike. Nëse Greqia voton kundër masave të BE-së, do të goditet rëndë jo vetëm projekti i shpëtimit të euros, por edhe vetë BE-ja do të futet në një recesion të rrezikshëm, që sipas disa parashikimeve pesimiste do të mund të çonte edhe në shpërbërjen ose sakatimin e BE-së.

Një koincidencë që ngjall këso shpresa katastrofike për Evropën janë edhe zgjedhjet presidenciale në Francë, që balotazhin e kishin po ashtu ditën e djeshme, dhe ku humbja eventuale Sarkozisë, i cili me Angela Merkelin konsiderohej si shtylla e dytë që e mbanë BE-në, do të dobësonte ose edhe shkatëronte kohezionin në BE, kurse në Ballkan, do të hapte rrugë për skenarë dhe strategji të tjera, jo më vetëm ato nën diktatin e Brukselit të BE-së dhe NATO-s.

Kriza e mundshme në eurozonë e edhe në boshtin e aleancës Berlin-Paris, sigurisht se mund të ndodhë dhe do të kishte pasoja të konsiderueshme, por jo aq katastrofike çfarë parashikojnë skenaristët ndjellakeq ballkanas e më gjerë. Në Beograd vegjëlia milosheviqiane mbase ëndërron shkatërrimin e BE-së në formën siç është shkatërruar Jugosllavia, ose Bashkimi sovjetik, kështu që atyre sërish do t’u hapej rruga për beteja të reja në Bosnje dhe Kosovë, ose edhe në Maqedoni, ku po investojnë në konfliktin mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Vetëm se është naivitet të besohet në këtë skenar shkatërrimi të BE-së si i një kulle prej letre. Bashkimi Evropian vërtet ka probleme në përfundimin e arkitekturës së saj më unifikuese, por i ka mekanizmat e mjaftueshme dhe resurse të mëdha që t’i bëjë ballë sfidave ekonomike dhe politike që e çojnë mbrapa.

Por, mos të spekulojmë koti para se të shohim se çka do të sjellin zgjedhjet në Serbi, Greqi dhe Francë.
Marre nga gazeta Express
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni

Siguria detare/ Bllokohen 39 mjete lundruese nga Ksamili në Koman! 100 mijë lekë gjobë 17 prej drejtuesve për mungesë dokumentacioni