Shërbimi i urgjencës tashmë do të reformohet tërësisht, ndërkohë që një risi e tij do të jetë edhe ofrimi i tij në poliklinikat e vendit.

Ky ka qenë vendimi i marrë dje nga qeveria, pas hartimit të pr/ligjit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë ku parashikohet fillimisht ngritja e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, e cila do të do të jetë institucioni përgjegjës për zhvillimin e sistemit të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, nëpërmjet planifikimit, drejtimit, pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të unifikuar, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë me sistemet e ngjashme në vendet fqinj.

Pr/ligji ka për qëllim kryesor ngritjen dhe funksionimin e sistemit të urgjencës mjekësore për ofrimin e kujdesit më të përshtatshëm mjekësor dhe sigurimin e standardeve për kujdes cilësor dhe harmonik në të gjithë vendin.

Në projektligj përcaktohet shtrirja e shërbimit të urgjencës mjekësore në të gjithë nivelet e ofrimit të kujdesit shëndetësor përfshirë këtu edhe Spitalin Universitar të Traumës.

Ndërkohë institucione të tjera ku do të ofrohet shërbimi i urgjencës do të jenë shërbimi parësor, spitalor, spitalor universitar.

Një tjetër pikë e rëndësishme e ligjit është edhe parashikimi që personeli shëndetësor të jetë i trajnuar në këtë fushë. 

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com",versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)