Shërbimi Informativ
Visho Ajazi gati largimin

TIRANE - Me sa duket nuk do të ketë paqe as në institucionet kushtetuese dhe të pavarura pas ardhjes në mënyrë plebishitare të së majtës në pushtet. Dominimi parlamentar i konfiguracionit politik të majtë të përbërë nga Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Kristiandemokrate me plot 83 vota, mundësia për shtimin e kësaj mbështetjeje parlamentare dhe me vota të tjera të çamëve, PDK të Ndokës e deri tek vota e deputetit Agron Duka, ka “tundur” nga themelet bazamentin që mban karrigën e kreut të SHISH Visho Ajazi. I cili është zgjedhur jo shumë kohë më parë në këtë post tepër të rëndësishëm pa asnjë konsensus dhe përmes kontestimeve të forta, me votën e mazhorancës së djathtë të drejtuar nga Berisha.

Ndonëse kreu i qeverisë së ardhshme, Edi Rama ka dhënë garanci se do të zbatohet vetëm ligji dhe gjithë reformimi i institucioneve do të bëhet vetëm në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, ndonëse kreu i ri i PD Lulzim Basha ka deklaruar më se njëherë se do të bëhet “mur” në mbrojtjen e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, vetë drejtuesi i këtij institucioneve, kreu i SHISH Visho Ajazi ka filluar të marrë masa.

Burime të besuara dhe shumë të rezervuara pranë Universitetit Publik të Tiranës na bëjnë me dije se kreu aktual i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi është në kërkim të një vendi pune si pedagog për informatikën në këtë sektor. Ai është takuar me drejtues në degën e informatikës në UT në përpjekje për të qënë në vitin e ri akademik që nis të tetor të këtij viti pedagog në këtë fakultet, qoftë dhe i jashtëm dhe me orë. Një element që përkon me faktin se ai nuk ndjehet i sigurtë në postin e kreut të SHISH, pas emërimit në këtë detyrë në kundërshtim jo vetëm me opozitën shqiptare të atëhershme të drejtuar nga Edi Rama, por dhe me përfaqësuesit e SHBA. Të cilët kishin marrëdhënie shumë të mira me paraardhësin e Visho Ajazit dhe konkretisht Bahri Shaqirin.

Për më tepër që socialistët kanë vijuar dhe më pas akuzat për rikthim të të gjithë ish-punonjësit dhe drejtuesit e SHIK-ut të të ndjerit Bashkim Gazidede në shërbimin sekret dhe për më tepër në postet drejtuese nga qendra në bazë, si dhe përfshirjen e SHISH në fushatën elektorale dhe në survejimin dhe përgjimin e opozitës. Pikërisht në këtë element jo vetëm mazhoranca e re por dhe partnerët ndërkombëtarë janë shumë të ndjeshëm. Aq më tepër që Visho Ajazi ende nuk ka zbardhur veprimtarinë e shumë viteve në ekzil në Kanada. Si ai, edhe kuadro të tjerë duket se janë të gatshëm të tërhiqen, ndoshta për shkak të përballjeve të forta që mund të kenë në të ardhmen, angazhimeve të mëdha të mazhorancës së re për luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe në nivelet më të larta të shtetit, dhe presionit të ndërkombëtarëve mbi këtë mazhorancë, në lidhje me faktin se ndëshkueshmëria ndaj abuzimit dhe korrupsionit duhet të përfshijë dhe nivelet e larta të drejtimit të shtetit, nëse lind nevoja.
 
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë