SHBA - Një tjetër rekord historik ka rënë në NBA, duke mbyllur një epokë që zgjati plot 63 vite. Protagonist i këtij momenti është ylli kanadez Shai Gilgeous-Alexander, i cili ka vendosur rekordin për numrin më të madh të ndeshjeve radhazi me të paktën 20 pikë të shënuara.

Basketbollisti i Oklahoma City Thunder arriti në 127 ndeshje radhazi mbi kuotën e 20 pikëve, duke kaluar rekordin legjendar të Wilt Chamberlain, një prej figurave më të mëdha në historinë e basketbollit amerikan.

Rekordi i ri u konfirmua në fitoren dramatike 104-102 të Thunder ndaj Boston Celtics, ku Gilgeous-Alexander realizoi 35 pikë. Seria e tij e jashtëzakonshme kishte nisur më 1 nëntor 2024 dhe tashmë është zgjeruar në 127 ndeshje radhazi.

Rekordi i mëparshëm i Chamberlain kishte rezistuar për dekada. Legjenda e NBA-së kishte regjistruar 126 ndeshje radhazi me më shumë se 20 pikë, një seri që zgjati nga tetori i vitit 1961 deri në janar të vitit 1963.

Pas ndeshjes, Gilgeous-Alexander theksoi se për të rëndësi ka mbi të gjitha rezultati i ekipit.

“Të gjitha rekordet dhe arritjet janë fantastike, por nuk kanë rëndësi nëse nuk fiton. Kjo ishte e vetmja gjë që kisha në mendje. Jam i kënaqur që fituam dhe që vendosa një rekord", tha ai pas rekordit.