Rama: Një shpirt i ri qytetar do të vijë në qeverisjen e këtij vendi. Shumë është lujatur me këtë shprehjen qytet-fshat, por unë preferoj atë thënien e Koliqit :”Më mirë një malësor si gjithkush sesa një shkollar si askush.” Me gjithë respektin për ata që nuk na kanë votuar, janë çliruar e kanë shpëtuar të gjithë progresistës; ka marrë fund përndjekja e tyre në kuptimin e plotë të kësaj fjale, duke e përzënë nga puna “ik, se nuk je i joni”.

Ledi Shamku: “Më shihni kështu sepse dy ditë para zgjedhjeve theva krahun, por njësia 10 më tha ‘Led ke thyer të djathtën të majtën e ke top’. Dhe, u faktua se të majtën në njësinë 10 e kishim top. Kur Shqipëria u bë e mëvetësishme, Fishta tha “tani që e bëmë Shqipninë duhet me bë shqiptarët”, por sot është e kundërta shqiptarët i kishim top, tani Rilindje për Shqipërinë. Shqiptarët e treguan se ishin në drejtimin e duhur në 23 qershor. Rilindje është! Ju faleminderit shumë sepse së bashku bëmë të mundur Rilindjen.”

Blendi Nallbani: “Jam shumë i lumtur që jam sot para jush, më keni rikthyet emocionet e Uemblit të para 20 viteve. Në këto zgjedhje kam mësuar vetëm një gjë, socialistët mbaji afër e demokratët edhe më afër. I falënderoj me zemër të gjithë miqtë e mi, ish anëtarë të PD që votuan për ne, për Partinë Socialiste.”

Pandeli Majko: Kishte njerëz që thoshin: “Ehh do t’i marrë prapë ai. Do t’i manipulojë”. Por, nuk iu kishin llogaritur ju. Por, më lejoni që një falenderim të veçantë sot nga Tirana t’ia drejtoj qytetit të demokracisë dhe pjesë të qarkut të Tiranës, Kavajës. Kavajës që foli fort me zë të lartë dhe me votë për Rilindjen e të gjithë Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Sot është data 2 korrik. Në 2 korrik të ’90-s, mijëra shqiptarë thyen muret e ambasadës dhe hynë nëpër ambasada duke refuzuar realitetin, duke refuzuar që të qëndrojnë këtu. Këtë radhë jo të ambasadave, por të mureve ndarës që ishin krijuar midis shqiptarëve. Ka ardhur koha t’ua them sot pa pritur shtatorin, të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin, që u kanë nxirë buzën, që i kanë hequr nga puna këta njerëz, që s’kanë lënë gur mbi gur, duke ardhur vërdallë si korba nëpër qendrat e votimit, duke bërë presion; Tani është koha të ikin në paqe”.