Pas shortit të grupeve të Kupës së Botës 2026, Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar rivalët e mundshëm nëse sigurojnë një biletë për në fazën finale që do mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Nëse kalon Poloninë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesen e çiftit Ukrainë - Suedi, kombëtarja shqiptare e futbollit do vendoset në Grupin F të finaleve të Kupës së Botës 2026. Rivalë për tanët do jenë (gjithmonë nëse kalon) emra si Holanda, Japonia dhe Tunizia.
Nga ana tjetër, Kosova, nëse kalon Sllovakinë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesin e çiftit Turqi - Rumani, do vendoset në Grupin D të Kupës së Botës, me rivalë si SHBA, Paraguai dhe Australia.
Për të komentuar shortin, në Report TV foli gazetari Kristi Sejatllari. Ai tha se duhet të shpresojmë që në mars të dalim me kokën lart dhe të marrim një biletë për në fazën finale. Sipas tij, edhe Kosova ka një lojë të mirë, madje nëse kalon mund të fitojë grupin.
"Shorti? Nëse do ndodhë, kundër Holandës do jetë një ndeshje e bukur. Le të 'delirojmë' për marsin. Kundër Japonisë dhe Tunizisë do jenë ndeshje të bukura, nuk jemi përballur më parë me ta. Kundër Holandës kemi katër humbje. Grupi është i favorshëm, duke parë skemën që kalojnë 32 ekipe në fazën me eliminim direkt.
Euro 2024 kundër Spanjës, Italisë dhe Kroacisë. Shorti sot më i pranueshëm...
Po të shohësh ekipin në Europian, nuk ishte e dobët, por duhet të menaxhohej më mirë. Shorti në Botëror, nëse kalojmë, është treguar bujar. Polonia e provoi në kualifikuese me Holandën, tani e kemi ne radhës të gjejmë 'Tulipanët'.
Ndeshjet play-off në mars?
Kam merak këtë play-off, gjatë shortit u bë pak rrëmujë. Si është ndarë pjesa e play-off është pak e çuditshme. Nga nëntori që mbyllen ndeshjet, deri në mars 2026 është një kohë e gjatë. Faza e play-off, sipas meje duhet të bëhej më parë. Në futboll katër muaj janë shumë. Në nëntor ishim më mirë se Polonia. Në mars nuk i dihet si shkojmë, por fakt është se Polonia nuk është ai ekipi i fortë.
Rivalët në play-off?
Të treja ekipet janë të kalueshme. Si Polonia dhe fituesi i Suedi - Ukrainë. Ukraina luan në fushë neutrale dhe do e doja nëse kalojmë polakët.
Atmosfera në Kombëtare?
Interesi i Kombëtares është para atyre individual. Broja, Asani, Muçi, Mehmeti etj, mund të mërzisin tifozët sa u takon minutave, por kjo është rruga për në Botëror. Për momentin ky është shtegu i duhur që po ndjek trajneri. Në mars edhe mund të kemi afrime të reja. Por, nuk mund të ndryshojmë tërësisht në mars.
Beson te kualifikimi?
Është momenti dhe brezi i duhur për një kualifikim.
Kosova?
SHBA ka një mjeshtër si Pochettino. Kosova do e kishte më të lehtë se Shqipëria, mund të fitonte edhe grupin. Kosova luan bukur, çdo ekip që ka kundër ka treguar se e ka të vështirë. Kosova mund të mposhtë edhe një ekip të madh.
Botërori?
Janë 104 ndeshje, një muaj e ca festë. Do ketë miliarda njerëz që do e ndjekin. Botërori i shtrenjtë është për tifozët, sa i takon biletave në stadiume dhe udhëtimeve.
Favoritët?
Shoh Brazilin me Ancelottin, erdhi për këtë punë. Franca është aty, Anglia me Tuchel ka rritur performancën. Këto janë të treja, por kemi edhe Spanjën që kur duket dobët, në fund të ngre trofeun. Messi dhe Ronaldo do kenë 'vallëzimin' e fundit", tha Sejatllari.
Komente






