“Përpjekja e prefektit të Dibrës për t'i hequr titullin qytetar nderi dëshmorit të 21 janarit Hekuran Deda vazhdë e barbarisë qeveritare. Ndaj familjes Deda KM ka detyrimin të shpjegohet para drejtësisë edhe për sekserin që coi në mesnatë për të blerë me lek një vizitë tek ata!” Shkruan Rama në Twitter.
Lajmi për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Dedës është bërë publike sot në median e shkruar. Prefekti Genc Sharku ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të komunës Kala e Dodës, vendim ky që e shpall Dedën “Qytetar nderi” të kësaj njësie vendore. Ndërkohë që Kryetari i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, ka deklaruar se “prefekti nuk e ka konfirmuar këtë vendim të Këshillit të Komunës. Por, ligji e thotë mjaft qartë se vendimet me karakter individual nuk kanë nevojë të konfirmohen nga prefekti. Edhe sikur ai të mos e konfirmojë atë, Këshilli Komunal të njëjtin vendim do të marrë për djalin e kësaj zone që humbi jetën tragjikisht në protestat e opozitës më 21 janar 2011”.
Prefekti i Dibrës, Genc Sharku, mohon që ky vendim i tij ka prapavijë politike. Sipas Sharkut, vendimi i Këshillit të Komunës nuk është marrë brenda rregullave dhe se anëtarët e Këshillit nuk janë mbledhur në një mbledhje normale, por vendimi është marrë me firmat e këshilltarëve. Sipas prefektit, moskonfirmimi i vendimeve me karakter individual nuk është kompetencë e tij, por meqenëse ky vendim ka mbërritur në Prefekturë është kthyer për plotësim të dokumentacionit. Ai shprehet se “janë shkelur procedurat ligjore dhe se Këshilli Komunal duhet të zhvillojë një mbledhje tjetër, brenda kushteve ligjore”. ah/shqiptarja.com/