SHB, Barak Obama pranon
kandidimin: Zgjedhja është e qartë

SHB, Barak Obama pranon <br />kandidimin: Zgjedhja është e qartë
CHARLOTE- Barack Obama pranoi të mërkurën mbrëma nominimin e Partisë Demokratike për të garuar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në fjalën e tij përpara konventës së demokratëve Obama nënvizoi diferencën midis krahut të tij dhe politikave të republikanëve duke ju rikthyer tezës së "shpresës" që e përdori edhe në vitin 2008.

"Nuk kam thënë kurrë që udhëtimi ynë do të jetë i lehtë dhe nuk jam duke e premtuar as tani", tha Obama ndërsa sondazhet tregojnë një diferencë të ngushtë mes tij dhe kandidatit republikan Mitt Romney. Obama ju tha delegatëve në sallë dhe amerikanëve që ndiqnin nga ekrani se problemet e kombit janë ndërtuar prej dekadash dhe nuk mund të zgjidhen brenda një momenti. "Kur ju të shkoni drejt kutive të votimit, zgjedhja do të jetë shumë e qartë. Në vitet e ardhshme, do të ndërmerren vendime të rëndësishme në Uashington për punësimin dhe ekonomike, taksat dhe defiçitin, energjinë dhe edukimin, luftën dhe paqen.

Vendime që do të kenë ndikim të madh në jetët tona dhe të fëmijëve tanë që do jetojnë në dekadat e ardhshme", nënvizoi Obama. Fjalimi i tij u mbajt brenda sallës së ndërtesës ku po mbahej konventa dhe jo në stadiumin e Charlotte ku ishte menduar paraprakisht. Përpara Obamës mbajti një fjalim edhe zv.presidenti Joe Biden i cili vlerësoi kontributin e Presidentit për ringritjen e industrisë së makinave dhe urdhrin për vrasjen e Osama Bin Laden. Obama gjithashtu lëshoi kritika për republikanët që sipas tij janë gati të flasin për gjithçka shkon keq në Amerikë pa ofruar ndonjë sugjerim si të bëhen gjërat më mirë. Duke ju referuar politikës së jashtme Obama tha se rivalët duan ta çojnë vendin në një drejtim që i ka kushtuar shumë ndërsa nënvizoi suksesin me vrasjen e Osama Bin Laden, tërheqjen e trupave nga Iraku dhe planin për tërheqje nga Afganistani. Stafi i kandidatit republikan Mitt Romney reagoi menjëherë pas konventës së demokratëve duke thënë se Obama u ndal tek ato politika që nuk i kanë funksionuar në katër vitet e shkuara. "Ai ofroi më shumë premtime por nuk ka mbajtur ende premtimet që bëri plot katër vite më parë", thuhej në deklaratën e shtabit të fushatës së kandidatit republikan. Romney dhe Obama kanë edhe dy muaj kohë për fushatë derisa të mbërrijnë tek kutitë e votimit më 6 nëntor.
(dm/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin