SHBA - Mirësi e jashtëzakonshme e 13-vjeçares Kler Gruenk ndaj së motrës binjake Kloe në një garë vrapimi për nxënësit në Ilinois, një gjest solidariteti që ka prekur Amerikën dhe ka bërë xhiron e botës.

Kler, gjatë një gare prej 800 metrash u ndal për t’i ardhur në ndihmë motrës së saj binjake Kloe, duke e marrë mbi shpinë në 370 metrat e fundit të garës.

Dy vajzat e prekën bashkë finishin mes brohoritjeve dhe mallëngjimit të spektatorëve, që ndiqnin garën. Sigurisht, që ato arritën të fundit, por mësimi i jetës dhe i sportit që u pa në pistën e Trentonit vlente më shumë se një mijë trofe.

Ky gjest mirësie kaq i madh, tronditi ndërgjegjen e një kombi të tërë, duke filluar që nga trajneri i tyre, Ted Creil, i cili i shprehu  përshtypjet e tij me fjalët:

Kam ndjekur më shumë se 200 gara, por është hera e parë që më dalin lot”.

Ndërsa Kler u shpreh se gjithmonë ia vlen të ndihmosh dike: “ Është fjala për të treguar dhembshuri, dashuri dhe sportivitet edhe nëse humb, sepse për të ndihmuar dike, gjithmonë ia vlen. Energjia e spektatorëve më bëri më të forte”, - tha ajo.

Dy motrat binjake u kthyen kështu në dy heroinae e lojërave sportive.

gare
(Pamje nga gara, kur motra merr në shpinë motrën për të përfunduar garën)

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)