Një 41-vjeçar shqiptar nga Kosova u vra në Brooklyn, New York, pasi u përpoq të ndalonte një person që po vidhte pako në hollin e një pallati ku punonte si mbikëqyrës. Burim Havolli u gjet nga policia me lëndime të shumta në kokë, u dërgua menjëherë në spital por nuk mundi që të mbijetonte. 

Sipas policisë, autori i dyshuar 30-vjeçar, ishte me precedentë penalë në vjedhje. Havolli u sulmua rreth orës 8 të mëngjesit të mërkurën, kur dyshohet se autori po përpiqej të merrte një pako. Agresori dyshohet ta ketë goditur disa herë në kokë me telefon, dhe për pasojë është rrëzuar. Ai ishte baba i tre fëmijëve.

Familjarët e përshkruan si një njeri punëtor dhe të respektuar, ndërsa do të varroset në vendlindjen e tij, Podujevë.

"Ai vdiq duke mbrojtur ndërtesën, duke mbrojtur paketat e qiramarrësve", tha vëllai i tij, Blerim Havolli, për The Post. "Ai kujdesej shumë për të gjithë këtu. Ai kishte një zemër të madhe. Ai ishte thjesht i pabesueshëm".

"Ai ishte një njeri shumë i mirë familjar. Më vjen shumë keq për gruan dhe fëmijët e tij", shtoi një fqinj. "Çfarë po ndodh në këtë botë sot? Këto janë foshnje që ai pati dhe tani do të rriten pa baba."