UASHINGTON - “Përdorimi i armëve kimike në Siri tronditi ndërgjegjen e botës”, “godet gjithë botën, “ofendon njerëzimin”, “nuk mund të justifikohet”, “në Siri ka pasur sulme kimike në shkallë të gjerë dhe mbi civilë”.
 
Kjo ka qenë deklarata e sotshme e fortë nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që i jep një përgjigje gjendjes në Siri, kur këtë 21 gusht fotot e përdorimit të armëve kimike tronditën gjithë botën dhe vunë në pikëpyetje ndërhyrjen ndërkombëtare në këtë vend. 

Kerry më tej ka shtuar se “prej vitesh, kombet e kanë braktisur totalisht përdorimin e armëve kimike" dhe se “zotërojmë shumë informacione mbi përdorimin e armëve kimike dhe shumë të tjera po i vlerësojmë me aleatët”.
 
Kerry ka theksuar se në Siri ka ndodhur një përdorim i armëve kimike “pa dallim” dhe “në shkallë të gjerë”.

Ai ka shtuar se “kuptimi i këtyre sulmeve shkon përtej vetë konfliktit në Siri”.
 
“Për 5 ditë regjimi i Sirisë refuzoi hetimin e OKB. Duke vazhduar në mënyrë sistematike të shkatërrojë provat. Kjo nuk është mënyra si duhet vepruar e tashmë është vonë për të hetuar edhe pse duhet të kenë mbetur mbetje nga përdorimi i armëve kimike. Nëse regjimi nuk ka asgjë për të fshehur le të jetë transparent”, ka vijuar komentet e tij Kerry.
 
Ai më pas ka bërë të ditur se Departamenti Amerikan i Shtetit po diskuton për ndërhyrje, edhe nëse nuk vërtetohet gjë.
 
“Obama po e diskuton ende mënyrën e ndërhyrjes në Siri. Asgjë sot nuk është më serioze se kjo masakër në Siri. Por edhe nëse nuk vërtetohet gjë, nëse inspektoret e OKB nuk arrijnë dot të zbardhin gjë, pasi po pengohen sërish nuk është kjo e rëndësishme, e rëndësishme është që departamenti po diskuton për ndërhyrje”, ka thënë shprehimisht Kerry.
 
Kerry ka premtuar se “ne do vazhdojmë negociimin në ditët në vijim dhe hetimin nga OKB po ashtu”.

Pas fjalimit të John Kerry-t nuk janë pranuar pyetje nga mediat.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)