SHBA/ Blerjet e sezonit të festave me probleme nga pandemia

SHBA/ Blerjet e sezonit të festave me probleme nga pandemia

Foto ilustruese

Sezoni i festave të këtij viti në Shtetet e Bashkuara duket se do të jetë i pazakontë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Moskalkov, ekspertët thonë se problemet me zinxhirin e furnizimit, pandemia, inflacioni dhe shitjet nëpërmjet internetit do të ndikojnë tek blerjet për festat.

Në vitin 2021, ashtu si gjatë vitit të kaluar, shumica e blerjeve për stinën e festave do të bëhet nëpërmjet internetit, thonë eskpertët.

Lehtësimi i blerjes online është një ndër mësimet e nxjerra nga pandemia. Sipas një studimi të kompanisë Adobe Digital Insights, shitjet gjatë stinës së festave të këtij viti mund të arrijnë në 207 miliardë dollarë vetëm në Shtetet e Bashkuara.

Por kjo nuk do të thotë se gjërat i janë rikthyer normalitetit.

“Për shkak të pandemisë dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit global, po shohim çmimet në fillim të sezonit që janë 3% më të shtrenjta se në të kaluarën. Gjithashtu, ofertat janë më të dobëta. Si rezultat i rritjes së kërkesës dhe sasisë së kufizuar, çmimet fillojnë të rriten në internet”, thotë Vivek Pandia, analist me kompaninë Adobe Digital Insights.

Problemet e zinxhirit të furnizimit po i shtyjnë bizneset të fillojnë me ofertat më herët dhe të mos presin furinë e së Premtes së Zezë, ditën pas Festës së Falenderimeve.

“Kompanitë nuk duan të kenë një mori porosish online pikërisht përpara Krishtlindjes, pasi ndoshta nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin. Prandaj u intereson ta zhvendosin më herët kërkesën në treg”, thotë Mathew Isaac, profesor marketingu në Universitetin e Siatëllit.

Zoti Isaac thotë se për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit, dyqanet po mundohen më shumë që të kenë në stok mallrat më popullore, se sa një varietet opsionesh për konsumatorët.

Psikologia për konsumin Donna Hoffmann thotë se blerësit ndoshta do të zhgënjehen.

“Shumë njerëz kanë ndjesinë se po i rikthehemi normalitetit... dhe do të presin diçka të tillë kur të futen në internet. Mendoj se kompanitë duhet të përgatiten për një kthim masiv mbrapsht të mallrave. Ka shumë irritim që do të shndërrohet në zhgënjim”, thotë zonja Hoffman.

Blerjet në internet kanë ndryshuar edhe konceptin e bërjes së pazarit për të Premten e Zezë, që vjen të nesërmen e Festës së Falenderimeve. Termi “Black Friday” filloi të përdoret në Shtetet e Bashkuara për ditën kur kompanitë arrinin një bilanc pozitiv financiar nëpërmjet shitjeve masive dhe ofertave të mëdha që fillonin në ditën pas Festës së Falenderimeve.

“Në të kaluarën, ishte dita e blerjeve online. Tani është i gjithë muaji, është nëntori i zi! Nuk ka mjaftueshëm shoferë të liçensuar për kamionët e mëdhenj të mallrave, si dhe nuk ka staf të mjaftueshëm në sektorin e shitjeve”, thotë Sheri Lambert, profesore marketingu në Universitetin Temple.

Ekspertët i këshillojnë konsumatorët të mos jenë shumë përzgjedhës me dhuratat e këtij viti dhe të ruajnë gjithmonë një plan B, në rast se gjërat nuk shkojnë sipas planit./VOA/

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë