SHBA dhe aleatët zhvillojnë stërvitje të përbashkët kundër raketave, Koreja e Veriut paralajmëron krizë sigurie

SHBA dhe aleatët zhvillojnë stërvitje të përbashkët kundër raketave, Koreja e Veriut paralajmëron krizë sigurie

Anijet amerikane, koreano-jugore dhe japoneze në stërvitje ushtarake

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia bënë të hënën stërvitje të përbashkëta për mbrojtjen nga raketat, ndërkohë që Koreja e Veriut është duke shtuar arsenalin e saj bërthamor, dhe ndërsa një zyrtar i ushtrisë koraenoveriore paralajmëroi Shtetet e Bashkuara se rrezikojnë të shkaktojnë “një krizë më të qartë sigurie dhe kërcënime të patejkalueshme”.

Javës së kaluar, Koreja e Veriut bëri një nga demonstrimet më provokative ndër vite të armatimit të saj, duke testuar për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale që funksionon me karburant të ngurtë. Kjo lloj rakete konsiderohet më e lehtë për t’u zhvendosur dhe më e vështirë për t’u pikasur, dhe mund të vendosë në objektiv drejtpërsëdrejti Shtetet e Bashkuara.

Marina e Koresë së Jugut tha të hënën se stërvitjet trepalëshe u zhvilluan në ujërat ndërkombëtare, pranë bregut lindor të vendit, dhe se u përqëndruan në ushtrimin e procedurave për pikasjen, gjurmimin dhe ndarjen e informacionit për raketat e Koresë së Veriut. Në stërvitjen njëditore merrnin pjesë nga një destrojer Aegis për çdo vend.

"Qëllimi i stërvitjeve është që të përmirësojmë aftësitë tona të reagimit kundër raketave balistike dhe të forcojmë aftësinë tonë për të kryer operacione të përbashkëta, ndërsa kërcënimet bërthamore dhe me raketa të Koresë së Veriut vazhdojnë të përshkallëzohen", tha gjatë një seance informimi Jang Do-young, zëdhënës i marinës së Koresë së Jugut.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nisën gjithashtu stërvitje të veçanta dypalëshe të hënën, me rreth 110 avionë luftarakë, ndër ta edhe avionë të avancuar luftarakë F-35. Stërvitjet do të vazhdojnë deri më 28 prill.

Dy stërvitjet mund të shkaktojnë një përgjigje luftarake nga Koreja e Veriut, e cila i sheh stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara me aleatët e saj aziatikë si prova për një sulm ushtarak. Koreja e Veriut ka përdorur stërvitje të tilla si një pretekst për të përshpejtuar zhvillimin e armëve, duke krijuar një cikël që ka rritur tensionet muajt e fundit.

Më vonë të hënën, Ri Pyong Chol, marshall i ushtrisë së Koresë së Veriut dhe bashkëpunëtor i ngushtë i udhëheqësit Kim Jong Un, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara duhet të "ndalojnë menjëherë provokimet politike dhe ushtarake” ndaj Koresë së Veriut.

“Nëse SHBA-të këmbëngulin në aktet e rrezikimit të mjedisit të sigurisë në Gadishullin Korean, duke mos marrë parasysh paralajmërimet e përsëritura nga Koreja e Veriut, kjo e fundit do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta ekspozuar të parën ndaj një krize më të qartë sigurie dhe kërcënimeve të pakapërcyeshme”, thuhet në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore.

Pa përmendur stërvitjet që filluan të hënën, zoti Ri akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut se kishin organizuar një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë, që simulonin një sulm parandalues bërthamor dhe luftë të gjithanshme kundër Koresë së Veriut. Ai kritikoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara për thirrjen e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar lëshimin e raketës balistike ndërkontinentale me karburant të ngurtë nga Koreja e Veriut, duke thënë se vendi i tij po ushtronte të drejtën për vetëmbrojtje.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit ia ndalojnë Koresë së Veriut angazhimin në aktivitete balistike. Por, këshilli nuk ka arritur të vendosë sanksione të reja ndaj Koresë së Veriut, megjithë një seri provash me raketa balistike që në fillim të vitit të kaluar, për shkak të kundërshtive nga Kina dhe Rusia, që janë vende anëtare me të drejtë vetoje. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë