Presidenti amerikan Donald Trump u kthye nga Kina të premten përballë vendimeve të rëndësishme lidhur me Iranin, ndërsa këshilltarët e tij më të afërt kanë përgatitur plane për rikthimin e sulmeve ushtarake nëse Trump vendos të thyejë ngërçin me më shumë bombardime.

Sipas ndihmësve të tij, Trump ende nuk ka marrë një vendim për hapat e ardhshëm. Zyrtarë nga vende të interesuara kanë tentuar të gjejnë një kompromis që do ta shtynte Iranin të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i lejonte Trumpit të shpallte fitore, duke u përpjekur të bindte votuesit skeptikë amerikanë se ndërhyrja e kushtueshme dhe vdekjeprurëse ushtarake në Iran kishte qenë e suksesshme.

Por Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One, menjëherë pasi u largua nga Pekini të premten, se oferta më e fundit e paqes nga Irani ishte e papranueshme.

“E pashë dhe nëse nuk më pëlqen fjalia e parë, thjesht e hedh poshtë”, tha ai.

Trump deklaroi se kishte diskutuar për Iranin me presidentin kinez Xi Jinping, partner strategjik i Teheranit që varet nga nafta dhe gazi që transportohen përmes ngushticës. Megjithatë, ai tha se nuk i kishte kërkuar Xi-t të ushtrojë presion ndaj Iranit dhe detajet e plota të diskutimeve të tyre ende nuk janë bërë publike.

Trump po përballet me presione të ndryshme lidhur me luftën. Megjithëse ajo është kthyer në një barrë politike për të dhe ai shpesh ka dhënë përshtypjen se dëshiron të largohet nga kjo çështje, presidenti ende nuk ka arritur atë që shpesh e ka paraqitur si objektivin përfundimtar të luftës: parandalimin e Iranit që të sigurojë ndonjëherë armë bërthamore.

Pentagoni po përgatitet për mundësinë që Operacioni “Epic Fury” – i cili u pezullua kur presidenti shpalli armëpushim muajin e kaluar – të rifillojë në ditët në vijim, edhe nëse me një emër të ri.

Kemi një plan për përshkallëzim nëse është e nevojshme”, u tha ligjvënësve këtë javë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë dëshmisë në Kongres. Hegseth shtoi gjithashtu se ekzistojnë plane për të tërhequr trupat dhe për t’u kthyer në shtëpi, duke rikthyer më shumë se 50 mijë ushtarët e dislokuar në Lindjen e Mesme në nivele më standarde.

Dy zyrtarë nga Lindja e Mesme, që folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje operative, thanë se SHBA-ja dhe Izraeli po zhvillojnë përgatitje intensive – më të mëdhatë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit – për rifillimin e mundshëm të sulmeve ndaj Iranit që javën e ardhshme.

“Ata ose do të bëjnë marrëveshje ose do të shkatërrohen,” tha Trump të martën para nisjes për në Kinë. “Në një mënyrë ose në tjetrën, ne fitojmë.”

Nëse Trump vendos të rifillojë sulmet ushtarake, opsionet përfshijnë bombardime më agresive ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës iraniane, thanë zyrtarë amerikanë.

Një tjetër opsion do të përfshinte trupa të operacioneve speciale në terren për të synuar materialin bërthamor të fshehur thellë nën tokë, shtuan ata. Sipas zyrtarëve, disa qindra forca speciale mbërritën në Lindjen e Mesme në mars në kuadër të një dislokimi që synonte t’i jepte Trumpit këtë mundësi.

Si trupa të specializuara tokësore, ato mund të përdoren në një mision që synon uraniumin shumë të pasuruar në objektin bërthamor të Isfahanit. Por një operacion i tillë do të kërkonte gjithashtu mijëra trupa mbështetëse, të cilat ka të ngjarë të krijonin një perimetër sigurie dhe mund të përfshiheshin në luftime me forcat iraniane. Zyrtarët ushtarakë pranuan se ky opsion mbart rreziqe të mëdha për viktima. Zyrtarët iranianë kanë deklaruar tashmë se po përgatiten për rikthimin e armiqësive.

“Forcat tona të armatosura janë të gatshme të japin një përgjigje të merituar ndaj çdo agresioni; strategjitë dhe vendimet e gabuara gjithmonë çojnë në rezultate të gabuara”, shkroi në rrjetet sociale kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf. “E gjithë bota tashmë e ka kuptuar këtë. Ne jemi të përgatitur për çdo opsion; ata do të befasohen.”

Çdo sulm i ri ndaj Iranit ka të ngjarë të rifillojë aty ku ndaluan luftimet para se Irani dhe SHBA-ja të arrinin armëpushimin e minutës së fundit më 7 prill. Në prag të asaj marrëveshjeje, Trump kishte kërcënuar se do të “fshinte të gjithë civilizimin” e Iranit nëse nuk lejonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Për disa ditë me radhë, presidenti kishte premtuar se do të urdhëronte ushtrinë amerikane të shkatërronte sistematikisht çdo urë dhe central energjetik në Iran nëse qeveria iraniane nuk do të rihapte Ngushticën e Hormuzit për cisternat e naftës. Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se objektivat e zgjedhur kishin lidhje të drejtpërdrejtë me operacionet e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Por ligjet e luftës ndalojnë shkatërrimin e qëllimshëm të infrastrukturës civile si mjet për të detyruar një qeveri.

Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, zyrtarët më të lartë të Pentagonit dhe drejtuesit ushtarakë kanë deklaruar se SHBA-ja ka përdorur ndërprerjen njëmujore të bombardimeve për të furnizuar sërish anijet luftarake dhe avionët sulmues në rajon.

Gjenerali Dan Caine, kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, i tha këtë javë një nënkomisioni të Senatit se zyrtarët ushtarakë “ruajnë dhe vazhdojnë të kenë një gamë opsionesh për drejtuesit tanë civilë”. Ai refuzoi të zbulojë se çfarë veprimesh ushtarake mund të urdhërojë Trump.

Në një konferencë në Pentagon më 5 maj, gjenerali Caine tha se më shumë se 50 mijë trupa, dy aeroplanmbajtëse, më shumë se një duzinë destrojerësh të marinës dhe dhjetëra avionë luftarakë “mbeten të gatshëm për të rifilluar operacione të mëdha luftarake kundër Iranit nëse urdhërohen ta bëjnë këtë. Asnjë kundërshtar nuk duhet ta ngatërrojë përmbajtjen tonë aktuale me mungesë vendosmërie.”

Megjithatë, zyrtarët ushtarakë pranojnë privatisht se fitorja mund të jetë e vështirë. Sipas tyre, ushtria amerikane ka bërë një punë të mirë në goditjen e objektivave që i kishte caktuar vetes, përfshirë bazat iraniane të raketave balistike, depot e municioneve të Gardës Revolucionare Islamike dhe pozicionime të tjera ushtarake. Por agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Irani ka rifituar qasje në shumicën e bazave të raketave, lëshuesve dhe objekteve nëntokësore.

Irani ka rikthyer gjithashtu qasjen operative në 30 nga 33 bazat raketore që mban përgjatë Ngushticës së Hormuzit, të cilat mund të kërcënojnë anijet luftarake amerikane dhe cisternat e naftës që kalojnë nëpër këtë rrugë të ngushtë ujore, raportoi këtë javë The New York Times.

Rreth 5 mijë marinsa dhe afërsisht 2 mijë parashutistë të Divizionit elitar të 82-të Ajror të ushtrisë amerikane ndodhen në rajon në pritje të urdhrave, thanë zyrtarët. Këto trupa mund të përdoren në një operacion për të arritur materialin bërthamor të Iranit në objektin atomik të Isfahanit, përfshirë sigurimin e perimetrit për të mbrojtur forcat speciale që do të hynin në objekt, nëse një operacion i tillë miratohet.

Trupat mund të përdoren gjithashtu në një operacion për marrjen e ishullit Kharg, një qendër kyçe e eksporteve iraniane të naftës, megjithëse ushtria do të kishte nevojë për më shumë forca tokësore për ta mbajtur atë nën kontroll, thanë zyrtarët./NYT