Në ligën jozyrtare të fuqive kryesore të hapësirës desh u fut së fundi edhe Izraeli. Por ky vend nuk arriti të kthehej në një nga vendet e tjera që kanë zbritur në Hënë pas SHBA, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Anija kozmike "Beresheet" u rrëzua për shkak të problemeve me motorin. Por, siç thonë disa vëzhgues tentativa izraelite tregon se ekziston "një garë e re për Hënën".
Garën e parë të zhvilluar gjysmë shekulli më parë e fitoi SHBA, kur në korrik 1969 austronautët e parë amerikanë zbritën në Hënë. SHBA kërkon tani të bëjë sërish një zbritje në Hënë, dhe kërkon ta bëjë sa më shpejt. Në fillim të muajit mars, zëvendëspresidenti Mike Pence, i dha si detyrë autoriteteve amerikane të hapësirës, NASA, që brenda pesë vjetëve të dërgojnë sërish amerikanë në Hënë. Nëse NASA nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë qeveria amerikane do të ngarkojë me këtë detyrë sipërmarrjet private, paralajmëroi Pence. Ai tha se SHBA ndodhet në garë që në vitet gjashtëdhjetë. Se me kë, ai nuk e tha.
Misioni kinez në Hënë me emrin "Fara pambuku",15 janar 2019
Konkurrencë me Kinën dhe Elon Musk
Ramon Lugo, drejtor i Institutit Hapësinor të Floridës (FSI) nga Universiteti i Orlandos, mendon se Pence kishte parasysh rivalitetin mes SHBA dhe Kinës. Eksperti thotë, se është e qartë se Kina ka një program për Hënën. Përveç kësaj midis SHBA dhe Kinës ekziston "një garë në shumë sektorë teknologjie", thotë Lugo. Në muajin janar të këtij viti kinezët arritën të dërgonin me sukses një anije kozmike në anën tjetër të Hënës.
Lugo, i cili ka punuar për një kohë të gjatë për NASA-n, mendon se nuk është e mundur, që Rusia të jetë rivale me SHBA për marrjen e Hënës, megjithë fluturimet e bëra me sukses në stacionin ndërkombëtar të hapësirës (ISS). Sipas tij, me "Garën për Hënën", SHBA i bën në njëfarë mënyre konkurencë vetvetes. Sepse ekziston ndërkohë një garë midis NASA-s dhe firmave private, si SpaceX dhe Elon Musk.
Planet e Pence-s, që të fluturohet sërish në Hënë deri më 2024, Lugo i vlerëson si tepër optimiste. Ai thotë se në pesë vitet e ardhshme ekziston mundësia e fluturimit të astronautëve në orbitën e Hënës, por një zbritje tek satelitët rreth tokës do të jetë e mundur vetëm në vitin 2030. Kjo gjë mund të ndodhë më shpejt në kohë, nëse NASA përdor raketat e firmës private Elon Musk, që janë krijuar për fluturim në Mars. Por kushtet e Hënës dhe të Marsit janë të ndryshme, thotë eksperti.
A merr pjesë Rusia në garë?
Misioni rus i Bashkimit Sovjetik, Lunochod 2
Andrej Ionin nga Akademia ruse e kozmonautikës mendon se nuk ekziston "Gara për Hënën". Deklarata e Pence është "e motivuar nga politika e brendshme". Sfondi ka të bëjë me përgatitjet e kandidaturës për president për vitin 2024, megjithëse Pence nuk i ka shprehur zyrtarisht ambiciet për këtë post. Megjithatë, eksperti rus nuk e përjashton mundësinë e zbritjes në Hënë pesë vjetët e ardhshme, si një "projekt unik". Por as Rusia as Kina nuk do të merrnin pjesë në "Garën për Hënën" të thirrur nga SHBA. Moska nuk është në gjendje financiare dhe nuk ka as teknologjinë e duhur për ta bërë këtë, thotë Ionin.
Megjithatë studimet e Hënës vazhdojnë në Rusi. Që nga mesi i muajit mars, në Rusi është duke u zhvilluar një eksperiment katër mujor, Sirius -19, për simulimin e fluturimit në Hënë. Në të marrin pjesë kryesisht shkencëtarë rus. Dhe në vitin 2021, organizata ruse e hapësirës "Roskosmos", do të dërgojë në Hënë si në kohën e Bashkimit Sovjetik, një seri stacionesh automatike. Zbritja e kozmonautëve është planifikuar të paktën për 2030. Presupozohet se fluturimet për atje do të bëhen me anijen kozmike të papërfunduar ende "Federazija", e cila do të ndihmohet nga raketa shumë e rëndë "Jenisej", e sapo ndërtuar dhe që pritet të lëshohet më 2028.
Modeli i Orionit, anijez kozmike europiane
Europa pret sinjale të qarta
Thomas Jarzombek, deputet i Parlamentit gjerman dhe koordinator i qeverisë gjermane për fluturimet në hapësirë në ministrinë e Ekonomisë dhe energjisë, po ashtu nuk do të fliste për "Garë për Hënën". "Amerikanët nuk duan që ta bëjnë këtë gjë të vetëm, por me një bashkëpunim të madh si në rastin e ISS, me Kanadanë, Europën dhe Japoninë," shpjegon ai në një intervistë me DW. Ai shton: "Ne duam nga SHBA që të na thotë si do shkojnë punët".
Ai nuk e përmend zëvendëspresidentin amerikan Pence. Megjithatë BE do patjetër të marrë pjesë në një projekt ndërkombëtar të NASA-s, projektin "Gateway", për ndërtimin e stacionit hapësinor në Hënë. Ky projekt ndodhet aktualisht në planifikim. Edhe Rusia ka treguar interes. Por në fund të vitit të kaluar, shefi i "Roskosmos", Dmitrij Rogosin, tha se Federata Ruse nuk do që të marrë pjesë në këtë projekt "në një rol të dorës së dytë".
Pas përfundimit të programit Space Shuttle, SHBA ka dhjetë vjetë që nuk ka më mundësi të dërgojë astronautë tek ISS. Amerikanët janë të varur për këtë nga raketat ruse Sojus. Por amerikanët janë duke punuar për anijen kozmike me qëllime studimore "Orion", me të cilën NASA ka lidhur planet e veta për Hënën. Fluturimi i parë provë është bërë më 2014. Stacioni hapësinor europian (ESA), ka krijuar për "Orion-in" një modul shërbimi për të furnizuar anijen kozmike me karburant dhe austronautët me ujë dhe oksigjen. Ajo u zhvillua kryesisht në Gjermani. "Për ne është sukses i madh, që të furnizojmë për herë të parë amerikanët me komponentë kritikë," thotë Jarzombek. /DW