SHBA dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë

SHBA dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë

Departamenti Amerikan i Shtetit

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në sektorin e energjisë.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Nënsekretari amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose Ë. Fernandez dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, sipas zyrtarëve amerikanë, “do të zgjerojë mundësitë që kompanitë amerikanë të investojnë në sektorin e energjisë së Serbisë dhe të promovojë investimet amerikane.”

Marrëveshja do të “forcojë partneritetin strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Kjo marrëveshje për bashkëpunim strategjik me Shtetet e Bashkuara në fushën e energjisë vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje tjetër strategjike që Serbia ka nënshkruar me Bashkimin Evropian.

Në korrik, Serbia nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik që mundëson nxjerrjen e mineraleve të rralla si litiumi, një projekt i përmasave të mëdha që pritet të zvogëlojë vartësinë e Evropës ndaj Kinës, por që po kritikohet ashpër nga ambientalistët dhe partitë opozitare.

Marrëveshja me BE-në u nënshkrua në prani të Kancelarit gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit si prodhuesi më i madh i veturave në Evropë është në kërkim të litiumit, një mineral jetik për prodhimin e baterive të makinave elektrike.

Planet për mineralin e litiumit kanë nxitur protesta të gjera kundër qeverisë në Serbi, përkundër paralajmërimeve të zyrtarëve se po bëhen përpjekje për të rrëzuar Presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Ai ka deklaruar se është njoftuar nga shërbimet ruse të zbulimit se në Serbi po përgatiten “trazira të gjera dhe puç” nga fuqitë perëndimore që duan ta rrëzojnë nga pushteti. Ai nuk ka thënë se për cilat vende perëndimore bëhet fjalë.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes të mërkurën, Shtetet e Bashkuara thanë se ato “mbështesin fuqishëm standardet e larta të transparencës dhe të qenit të hapur në prokurimin publik, të përcaktuara nga organizatat shumëkombëshe” dhe nxitën Serbinë të përvetësojë këto standarde, sipas deklaratës.

Sipas Shteteve të Bashkuara, marrëveshja e arritur me Serbinë është rezultat i “një përpjekjeje shumëvjeçare” të specialistëve të angazhuar nga pesë agjenci amerikane.

“Ky angazhim i burimeve pasqyron përkrahjen e fuqishme të qeverisë amerikane për investitorët amerikanë dhe projektet për energji të pastër” dhe zhvillim të qëndrueshëm, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri