SHBA/ Për herë të parë në gati 150 vjet! Dhoma e Përfaqësuesve voton pro shkarkimit të Sekretarit të Sigurisë

SHBA/ Për herë të parë në gati 150 vjet! Dhoma e Përfaqësuesve voton pro shkarkimit të Sekretarit të Sigurisë

Alejandro Mayorkas

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët votoi në favor të ngritjes së akuzave me qëllim shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, Alejandro Mayorkas, duke e bërë atë anëtarin e parë të kabinetit që përballet me shkarkimin në gati 150 vjet.

Shumë republikanë fajësojnë Mayorkas për politika të dobëta të cilat kanë nxitur emigracionin e paligjshëm. Përmes një procesi votimi 214 vota pro dhe 213 kundër, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy nene akuzash për t’u ngritur ndaj Sekretarit Mayorkas, për mos zbatimin e kuadrit ligjor mbi emigracionin, që sipas republikanëve ka nxitur prurjen e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë dhe për deklarim të rremë para Kongresit.

Çështja tani shkon në Senatin e udhëhequr nga Demokratët, ku ka të ngjarë të dështojë. Demokratët kanë epërsi në Senat, ata kontrollojnë 51 vende dhe republikanët kanë 49.

Presidenti Joe Biden e cilësoi votimin një akt antikushtetues kundër një nëpunësi të nderuar publik, për arsye politike.

Kundërshtarët e Mayorkas e akuzuan atë se nuk e respektoi betimin e tij për të "kryer mirë dhe me besnikëri detyrat", duke dështuar të bëjë më shumë për të siguruar kufirin. Mayorkas ka deklaruar se ai nuk ka përgjegjësi për situatën në kufi.

Ekspertë kushtetues dhe madje edhe disa republikanë janë shprehur se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve ndaj Mayorkas nuk ka arritur të provojë “krimet dhe keqpërdorimin e e detyrës” që citon Kushtetuta amerikane si arsye për të ngritur akuzë për shkarkim.

Më shumë se 6.3 milionë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021, duke e bërë emigracionin një çështje përçarëse dhe politikisht të diskutueshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Çështja është fokusi kryesor i fushatës së Donald Trump për të larguar Biden nga detyra.

Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas votimit, Biden mbrojti Mayorkas, duke e quajtur atë "një nëpunës publik i nderuar".

“Ai ka mbështetur me besnikëri sundimin e ligjit dhe ka demonstruar një përkushtim të thellë ndaj vlerave që e bëjnë kombin tonë të madh”, tha presidenti.

Ky lloj procesi ndaj një anëtari të kabinetit qeveritar është i rrallë dhe pothuajse nuk është ushtruar gjatë 150 viteve. Në vitin 1876, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj sekretarit të Mbrojtjes William Belknap në lidhje me kontratat qeveritare. Ai dha dorëheqje para votimit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hodhën molotovë në protestën e të PL-së dhe Rithemelimit para bashkisë, arrestohet 31-vjeçari, në hetim një tjetër

Hodhën molotovë në protestën e të PL-së dhe Rithemelimit para bashkisë, arrestohet 31-vjeçari, në hetim një tjetër