SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve shkarkon kryetarin Kevin McCarthy! Ndodh për herë të parë në histori

Tërmet politiko-parlamentar në SHBA. Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votoi sot për shkarkimin e kryetarit të saj, republikanin Kevin McCarthy. Kjo është hera e parë që ndodh në historinë e Amerikës kur shkarkohet nga posti një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. 216 nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan pro shkarkimit të tij dhe 210 kundër.

Mocioni për shkarkimin e tij u paraqit nga ligjvënësi Matt Gaetz, nga radhët e Partisë Republikane të zotit McCarthy. Ndërsa Gaetz, është një besnik i Donald Trump dhe anëtar i vijës së ashpër të lidhur me manjantin, i cili po synon të diktojë vijën në Partinë Republikane. Shkarkimi i Kevin McCarthy konsiderohet si fitore që konfirmon forcën e ish-presidentit në parti. Tetë deputetë të linjës së Partisë së Vjetër mjaftuan për të bërë që McCarthy të humbiste shumicën.

Gaetz e kishte akuzuar McCarthy se nuk kishte bërë sa ç'duhej për të shkurtuar shpenzimet federale.

"Mendohuni mirë përpara se të na zhytni në kaos, sepse ai do të jetë rezultati nëse e lëmë atë post të zbrazët”, i paralajmëroi ligjvënësi Tom Cole kolegët e tij republikanë në debatin në sallën e Kongresit të martën e 3 tetorit 2023.

Por Gaetz u kundërpërgjigj: "Unë nuk mendoj se votimi kundër Kevin McCarthy-t është kaos. Mendoj se 33 trilionë dollarë borxh është kaos. Mendoj se përballja me një deficit vjetor prej 2.2 trilion dollarësh është kaos”.

Shumica e republikanëve votuan për të mbajtur McCarthy në detyrë. Por për shkak të epërsisë së lehtë republikane ndaj demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, mjaftonte vota kundër e vetëm një numri të vogël republikanësh, së bashku me ato të demokratëve për të shkarkuar kryetarin McCarthy.

Disa republikanë kishin shprehur gjithashtu pakënaqësinë në lidhje me një marrëveshje që zoti McCarthy kishte arritur me Presidentin Joe Biden në fillim të këtij viti për të kufizuar nivelet e shpenzimeve në këmbim të rritjes së tavanit të borxhit.

"Shumë prej nesh i ishin lutur në mënyrë të përsëritur kryetarit, që të përdorte kërkesën për ngritjen e tavanit të borxhit për të nxitur shkurtimet e shpenzimeve dhe reformat. Përkundrazi, ai negocioi një rritje të pakufizuar të tavanit të borxhit," tha ligjvënësi republikan Bob Good në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve të martën, duke u kërkuar kolegëve të tij të votonin për shkarkimin e zotit McCarthy.

Republikani i vijës së ashpër, Matt Gaetz, që përfaqëson një distrikt të Floridës, kishte kërcënuar për muaj të tërë se do të përdorë një taktikë proceduriale, në përpjekje për të larguar zotin McCarthy nga detyra e kryetarit. Vota për shkarkimin e zotit McCarthy kërkonte një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh. Republikanët kontrollojnë dhomën me një shumicë 221-212 ndaj demokratëve të opozitës. 

Shkarkimi i zotit McCarthy nga posti i kryetarit në thelb paralizon aktivitetin legjislativ në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa ajo përballet me një tjetër afat për mbylljen e qeverisë më 17 nëntor nëse Kongresi nuk voton për zgjatjet e afatit.  Shtëpia e Bardhë tha se shpreson që Dhoma të lëvizë me shpejtësi për të zgjedhur kryetarin e ri, në një post që është i dyti në radhë në hierarkinë politike në Shtetet e Bashkuara pas atij të presidentit dhe nënpresidentit.

Mocioni për shkarkim është një mjet i rrallë dhe i fortë procedural që është përdorur vetëm dy herë gjatë shekullit të kaluar kundër kryetarëve republikanë. Por vitet e fundit, konservatorët e kanë përdorur mocionin si një armë kundër udhëheqësve të tyre. 

S.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shkodrani-Belgjike: 04/10/2023 09:26

    Sot ra demokracia më e vjeter në botë. Pra doli në pah gjithçka se domokracia nuk është përgjithmonë. Tash ta po shef të tjera shtete do bahen autoritare.

    Përgjigju
  • Iliri: 04/10/2023 06:47

    Mos e thoni qe ka te beje me financimin e luftes ne Ukraine, nga e cila po pasurohet Biden e nje grusht prodhuesish ndersa amerika po shkon ne faliment.

    Përgjigju
  • Iris: 04/10/2023 04:54

    Ua shiti shpirtin talebaneve te MAGA-s te GOP ne Kongres,se vdiste te behej Spiker dhe po ata e hoqen.Demokratet mund t'a kishin shpetuar,por nuk levizen as gishtin e vogel,jo vetem se kjo eshte /lufte civile/ brenda republikaneve,sic e quajten ata,por thjesht nuk ja falin te gjithe ato qe ka bere,qe nga /perulja/ qe beri para Trump ne Maralago,pasi e kishte denuar me fjale per 6 Janarin e deri te ndjekja ndaj Biden e cdo gje qe ndodhi ne mes te kufirit te ketyre dy ngjarjeve./He had it coming/-eshte nje shprehje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja