Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij po planifikon një takim të dytë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe se do të njoftojë hollësitë e këtij takimi së shpejti.
“Do të takohem Kim”, ka njoftuar Trump për gazetarët në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Gjithashtu deklaroi se data dhe vendi i takimit do të shpallen së shpejti.
Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka deklaruar më herët se po planifikon takimin dhe se ai mund të zhvillohet pas tetorit.
Ne jemi duke punuar shumë për të siguruar që të kemi kushtet e duhura në mënyrë që të arrijmë sa më shumë rezultate. Por shpresojmë se do të jetë së shpejti. Mund të ndodhë në tetor, por më shumë gjasa ka pas tetorit.
Mike Pompeo
Mirëpo komentet nga sekretari Pompeo kanë ardhur një ditë pasi presidenti Trump lavdëroi marrëdhënien e tij me Korenë e Veriut, duke u shprehur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se kjo ka ndihmuar në zbutjen e tensioneve në gadishullin Korean.
Raketat nuk po fluturojnë në çdo drejtim, provat bërthamore kanë ndalur dhe disa objekte ushtarake tashmë janë duke u çmontuar.
Donald Trump