Një gjykatës federal ka urdhëruar lirimin e 5-vjeçarit Liam Conejos Ramos dhe babait të tij nga Qendra Rezidenciale Familjare Dilley të Teksasit, sipas një vendimi të siguruar nga CNN.

Liami dhe babai i tij u dërguan 1,300 milje në një qendër paraburgimi në Teksas. Ata u ndaluan për më shumë se një javë.

Urdhri specifikon që fëmija dhe babai i tij të lirohen "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe jo më vonë se e marta, ndërsa çështja e tyre e imigracionit vazhdon përmes sistemit gjyqësor.

Sipas autoriteteve shkollore, fëmija, i identifikuar si Liam Ramos, nxënës i kopshtit, dhe babai i tij u ndaluan në momentin kur kishin mbërritur në oborrin e banesës së tyre. Drejtoresha e shkollës, Zena Stenvik, deklaroi se u informua për ngjarjen dhe shkoi menjëherë në vendngjarje.

Kur ajo mbërriti, makina e babait ishte ende ndezur dhe të dy ishin tashmë nën kontrollin e agjentëve. Sipas saj, një agjent e nxori Liamin nga makina, e çoi deri te dera e shtëpisë dhe i kërkoi të trokiste për të parë nëse kishte persona të tjerë brenda, veprim që Stenvik e cilësoi si “përdorim i një fëmije 5-vjeçar si karrem”.

Një i rritur tjetër që ndodhej pranë banesës i kishte kërkuar agjentëve të merrte në kujdes Liamin për të shmangur ndalimin e tij, por kërkesa u refuzua. Rreth 20 minuta më vonë, vëllai më i madh i Liamit, nxënës në shkollë të mesme, u kthye në shtëpi dhe gjeti banesën bosh, pa babain dhe vëllain e tij.

Avokati i familjes, Marc Prokosch, deklaroi se familja ka një çështje aktive për azil dhe se babai dhe djali kishin hyrë në SHBA përmes një pike zyrtare kufitare.