SHBA - Ndodhet në New York muzeu më i vogël në botë, i cili ka një sipërfaqe prej 6 metrash katror. Muzeu është hapur me qëllim për të paraqitur shoqërinë bashkëkohore.
I vendosur në vendin e një ashensori të një fabrike të vjetër veshjesh në Broadway, dy hapa larg Chinatown, muzeu i veçantë, sapo ka hapur dyert për vizitorët.

Në një video paraqitëse të këtij projekti, shpjegohet se ky muze është shtëpia bashkëkohore e disa bukurive apo sendeve të veçanta të ardhura nga e gjithë bota. Siç shpjegon edhe Alex Kalman, bashkëkrijuesi i kësaj iniciative, në këtë muze ndodhet këpuca me të cilën është goditur ish presidenti George W. Bush në Irak, një koleksion i disa çantave Disney, të cilat janë me material antiplumb, si edhe një koleksion i disa kartmonedhave të dëmtuara. 

Të gjithë objektet kanë një numër identifikues, që u lejon vizitorëve të lexojnë në një depliant ose të dëgjojnë një guidë audio për historinë e objektit në fjalë. Kjo iniciativë, nga disa vizitorë të muzeut nuk merret shumë seriozisht, ndërsa disa të tjerëve u duket shumë argëtuese. 

Kalman shpjegon gjithashtu se, ka nga ata vizitorë, të cilëve u duhet vetëm 5 minuta për të vizituar këtë muze, ka nga ata që kalojnë me orë të tëra duke admiruar me kureshtje objektet e rralla.

(e.b/v.gj/shqiptarja.com)